Arton Zekaj: Kundër Anglisë do të paraqitemi sa më mirë

Futboll

Arton Zekaj: Kundër Anglisë do të paraqitemi sa më mirë

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 16:13
Arton Zekaj: Kundër Anglisë do të paraqitemi sa më mirë

Kombëtarja U21 e ka mbajtur seancën e dytë stërvitore për ndeshjen kundër Anglisë, e cila zhvillohet më 9 shtator, në qytetin Hull, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021. Në këtë stërvitje përzgjedhësi Rafet Prekazi me ndihmësit Erdogan Celina e Naser Prapashtica kishin në dispozicion 20 futbollistë, derisa për shkak të angazhimit me klubin e tij mungoi Besfort Kolgeci, i cili do t’i bashkohet ekipit sonte në mbrëmje, si dhe Ismet Lushaku, i cili ka pësuar lëndim.

Në vend Lushakut ekipit do t’i bashkohet Uran Bislimi. Për Bislimin, i cili është pjesë e klubit zviceran, Schaffhausen, kjo do të jetë hera e parë që do të vihet në shërbim të përzgjedhësit Prekazi. Stërvitja u zhvillua me intensitet të mesëm, ku kryesisht u punua në ndërtimin e aksioneve dhe në lojën me top në hapësirë të vogël.

Atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë, derisa edhe forma e futbollistëve duket në nivel, gjë e cila e rrit dukshëm entuziazmin para duelit tejet të vështirë me “Tre Luanët”.

Arton Zekaj, tha se është krenarë që luan për Kosovën. “Jam krenar që do ta përfaqësoj Kosovën dhe ndihem shumë mirë me këtë grup të futbollistëve. Stërvitja kaloi shumë mirë dhe besoj se gjatë ditëve në vazhdim do ta njohim edhe më mirë lojën e njëri – tjetrit dhe kundër Anglisë do të paraqitemi sa më mirë. Normalisht se përballja me anglezët është një sfidë e vështirë, pasi kemi të bëjmë me njërën prej ekipeve më të forta në botë, mirëpo ne në çdo ndeshje do të hyjmë për fitore”, tha Zekaj.

Lirim Kastrati, është optimist. “Stërvitja shkoi shumë mirë. Kemi disa lojtarë të rinj që iu kanë bashkuar ekipit dhe vërehet se janë shumë cilësor dhe besoj se me trajnerin Prekazi do të arrijmë të krijojmë një ekip sa më kompakt për ndeshjen kundër Anglisë. Sigurisht se kjo do të jetë ndeshja më e vështirë e grupit tonë dhe pa dyshim që anglezët janë favoritë. Megjithatë, neve na mbetet të japim maksimumin dhe të mundohemi t’i befasojmë”, thotë Kastrati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat