Hasani: Kemi cilësi ta mposhtim Çekinë

Futboll

Hasani: Kemi cilësi ta mposhtim Çekinë

Më: 6 shtator 2019 Në ora: 11:31
Hasani: Kemi cilësi ta mposhtim Çekinë

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar seancën stërvitore në prag të ndeshjes kundër Çekisë, që zhvillohet, të shtunën, në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 15:00. E pikërisht në këtë orar Dardanët kanë zbritur në fushën e këtij stadiumi për ta kryer stërvitjen e radhës, me qëllim të ambientimit sa më të mirë me kohën.

Ndonëse temperaturat ishin mjaft të larta futbollistët gjatë kësaj seance punuan me vullnet të madh, teksa morën instruksionet e radhës nga përzgjedhësi Bernard Challandes, i cili edhe gjatë stërvitjes së sotme i kushtoi vëmendje të posaçme vijës së fundit, duke kërkuar nga futbollistët që të jenë sa më vigjilentë nga harkimet e kundërshtarit, duke e pasur parasysh faktin se çekët kanë lojtarë shtatlartë.  Edhe stërvitjen e sotme e ndoqën një numër i tifozëve, derisa mysafir special ishte ish-futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Enis Alushi, i cili e përcolli stërvitjen e Dardanëve në shoqëri të presidentit të FFK-së, Agim Ademi.

Pas stërvitjes së sotme në konferencë për media u paraqitën Bernard Berisha dhe Florent Hasani. Anësori i Akhmat Groznyt shprehu shpresën që do t’i jepet mundësia për të luajtur, teksa u shpreh i bindur se të gjithë futbollistët do të japin maksimumin dhe se do të arrijnë t’i mposhtin çekët.

“Është çdo herë kënaqësi të jem pjesë e Kosovës. Kam marre ftesën pas formës së mirë dhe kam dëshirën të jap më të mirën. Shpresoj të më jepet mundësia. E kam pritur ketë moment është momenti im dhe pres ta ndihmoj ekipin. Çekia është favorite në letër, por ne do të duhet të fitojmë për shkak se nuk kemi zgjidhje. Synimi kryesor është që ta fitojmë këtë ndeshje dhe t’i gëzojmë të gjithë. Kemi mungesa, por mund t’i zëvendësojmë. Është ndeshje vendimtare dhe duhet ta fitojmë”, ka theksuar Berisha.

Ndërkaq, mesfushori tjetër Florent Hasani pranoi se mungesat e disa lojtarëve titullarë janë shumë të rëndësishme për ekipin tonë, mirëpo theksoi se Kosova ka kualitetet të mjaftueshme për të mposhtur çekët.

“Mungesat janë të rëndësishme pasi bëhet fjalë për lojtarë kryesorë të skuadrës sonë, por kemi futbollistë të tjerë që presin me padurim ta tregojnë veten. Po e pres debutimin tim dhe po punoj maksimalisht. Kemi cilësi ta mposhtim Çekinë edhe pse ka një ekip të fortë dhe me përvojë. Me cilësinë dhe përkrahjen e tifozëve shpresoj të marrim tri pikë. Vendimtare do të jenë dy ndeshjet me Çekinë për fatin tonë, pasi bazuar në situatën në grup do të luftojmë për pozitën e dytë. Nëse fitojmë këtu, atëherë do ta kemi punën shumë më të lehtë”, ka thënë Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat