Kjo është deklarata e Albert Bunjakit për ndeshjen Kosovë – Çeki

Futboll

Kjo është deklarata e Albert Bunjakit për ndeshjen Kosovë – Çeki

Më: 7 shtator 2019 Në ora: 14:12
Albert Bunjaki

Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Fillimisht sot, “Dardanët” e presin Republikën e Çekisë në Prishtinë, ndërkaq tri ditë më vonë udhëtojnë drejt Southamptonit për ta sfiduar Anglinë.

Të dyja ndeshjet në fjalë zhvillohen në kuadër të grupit A, aty ku Kosova renditet në vendin e tretë me pesë pikë, derisa dy vendet e para i ndajnë anglezët dhe çekët me nga gjashtë pikë.

Ish-trajneri i Kosovës Albert Bunjaki mendon se Republika Çeke është një nivel më lart se Mali i Zi dhe Bullgaria.

“Në fakt do të jetë një test i mirë për Kosovën, e cila padyshim se është zhvilluar të gjitha format. Çekët janë në një nivel paksa më të lartë se Bullgaria dhe Mali i Zi dhe këtë e kanë treguar në përballjet e tyre direkte. Mendoj se është momenti i duhur të sfidohemi me kundërshtarë më të mirë”, u shpreh fillimisht Albert Bunjaki.

Duke folur për mungesat e rëndësishme te skuadra e Bernard Challandes, Bunjaki thotë se janë pjesë e lojës.

“Lëndimet janë pjesë e lojës dhe normalisht që ndikojnë. Por nuk duhet të harrojmë që Kosovës i është kthyer njëri ndër lojtarët më të mirë si në aspektin sportiv ashtu edhe edhe nga karakteri fitues Valon Berisha, që vërtetë është i rëndësishëm”, vlerësoi Bunjaki.

Për fund, Bunjaki është i bindur se Kosova do të jetë pjesë e Kampionatit Evropian “Euro 2020”.

“Unë gjithmonë kam besuar te këta futbollistë dhe vazhdoj të besoj. Jam shumë i sigurtë se Kosova do të jetë në Kampionatin Evropian për çka ishte edhe caku ynë i përbashkët”, përfundoi Albert Bunjaki.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat