Wolfsburgu në Prishtinë, Mitrovica premton lojë të madhe

Futboll

Wolfsburgu në Prishtinë, Mitrovica premton lojë të madhe

Nga: Kemajl Goca Më: 10 shtator 2019 Në ora: 19:31
Onbashi

Kampionia e Kosovës, Mitrovica, është para sfidës shumë të vështirë, kundër skuadrës gjermane Wolfsburgu, në kuadër të 16-ës së finales së Champions League në futboll. Vashat mitrovicase janë futur në histori të futbollit, duke arritur në mesin skuadrave më të mira, por që pretendojnë paraqitje sa më të mirë edhe ndaj gjermaneve.

Ndeshja do të zhvillohet nesër në orën 18.00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kryetrajneri i Mitrovicës, Seid Onbashi, tha se është ndeshja e para eliminatore dhe pretendojnë një paraqitje sa më të mirë ndaj Wolfsburgut.  Mitrovica premton lojë të madhe. Skuadra e Wolfsburgut ka dy fitore në ndeshjet e para në Bundesliga I dhe është në formë të mirë.  “Është ndeshja e parë, e pres një paraqitje të mirë të ekipit edhe pse kemi përballë një super skuadër e cila është një ndër ekipet më të mira në Europë bashkë me Lyonin”, tha Onbashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Mitrovica ka mungesa të shumta për sfidën me gjermanet, të cilën e konfirmon edhe Onbashi: “Mungesat e shumta na kanë vështirësuar punën por prapë do të mundohemi të bëjmë zëvendësimet adekuate sepse dihet që ekipi ynë veçohet si grup i mirë jo me individ.  Kemi mungesa si Liridona Syla, Edona Kryeziu, Mimoza Islami dhe Diellza Musa”. Sa i përket synimeve Onbashi shprehet: “Synimi i ekipit është që të mundohemi të marrim një rezultat pozitiv por do të jetë e vështirë por prapëseprapë unë besoj në këto vajza, në punën e tyre dhe dëshirën e madhe për t’u paraqitur sa më mirë.

Kundërshtarin e vlerësoj shumë,  së pari është nder dhe fat për secilin prej neve që kemi një kundërshtar si Wollsburgu e cila është një ekip i madh në futbollin femëror edhe te meshkujt. Ekip i cili në mesin e vet ka shumë reprezentuese të Gjermanisë duke e marr parasysh këtë, duhet nënkuptuar që kemi të bëjmë me një kundërshtar të nivelit të lartë. 

Presim përkrahje, ne kemi nevojë për shikues që të jenë motiv për neve, për vajzat por edhe vet ndeshja me Wolsburgun ka dy anët e veta edhe për vajza është një ngarkesë më e madhe psikike por edhe një motiv për secilën vajzë për paraqitje sa më të mirë.

I bëj thirrje të gjithëve që të vijnë e të na përkrahin sepse ne jemi kah e përfaqësojmë gjithë Kosovën jo vetëm qytetin tonë”, tha Onbashi. Ku është rreziku më i madh nga rivalja e njohur, sa keni njohuri për ta?

“Rreziku më i madh është në goditje standarde, ndërprerje sepse gjatësia e tyre dhe normal ka rrezik nga sulmueset e tyre, të cilat janë pjesë edhe e përfaqësueses gjermane, si Alexandra Pop”, përfundoi Onbashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat