Një përvjetor i lavdishëm i mbushur me suksese

Futboll

Një përvjetor i lavdishëm i mbushur me suksese

Nga: Fazli Berisha Më: 12 shtator 2019 Në ora: 14:36
Ilustrim

Me shkas
Kthejmë kokën prapa këtu e 28 vjet më parë, kur nisi rrugëtimi i pavarur i futbollit të Kosovës, me ndeshjen e parë të Kampionatit të parë të Kosovës me ndeshjen Flamurtari-Prishtina, që u zhvillua më 13 shtator 1991 në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë.  Të kthehemi pak në histori, Serbia kishte marrë një ofensivë të paparë për të shkatërruar gjithçka shqiptare në të gjitha segmentet e jetës.

Sporti nuk kishte pse të bënte përjashtim. Kështu edhe emërtimi i LF të Kosovës, u bë si LF e K e Metohisë. Sporti përkatësisht futbolli si sporti më masiv dhe njerëzit e atëhershëm, nuk po pajtoheshin me këto veprime, ndaj u mbajtën shumë takime në verën e nxehtë sportive gjatë muajve, qershor, korrik e gusht të vitit 1991 për të marrë një vendim duke i thënë jo shtypjes serbe dhe për të nisur një rrugë të pavarur pavarësisht çmimit që mund ta paguanin.

Kështu takim pas takimi me të gjithë dhe të gjitha klubet në të gjitha rangjet u vendos që e marta e 20 gushtit 1991, të shënojë nisjen e mëvetësisë ku mbahet Kuvendi themelues i Federatës së Futbollit ë Kosovës, e që do të bartë mbi supe organizimin krejt të pavarur të futbollit. U zgjodhën kryetari e kryesia si dhe organet relevante të federatës. Nderi për ta drejtuar FFK-n i takoi z. Agim Bytyqi nga Prizreni. Organet e FFK-së caktuan edhe fillimin e Kampionatit të ri dhe orarin e garave. Ndonëse ishte vendosur që kampionati të nis më 14 shtator, për ta vënë në lajthitje okupatorin serb u vendos që me 13 shtator të fillojnë garat me ndeshjen Flamurtari- Prishtina.

Nga kjo datë nis rrugëtimi i pavarur i futbollit të Kosovës duke kaluar nëpër shumë sprova deri në flijim sikur që as lufta për çlirimin e Kosovës nuk ka mundur të mendohet pa pjesëmarrjen e shumë futbollistëve dhe rënies së tyre në altarin e lirisë. Tash pas 28 viteve ky përvjetor e gjen Kosovën dhe futbollin e Kosovës, në kulmin e shkëlqimit . Ky përvjetor sa i lavdishëm e gjen FFK-n dhe Kombëtaret e futbollit pjesë të familjeve evropiane e botërore dhe evenimenteve të tyre. Ky përvjetor vjen në kohën kur Dardanët po shkëlqejnë në fushat e futbollit, duke rrëmbyer zemrat jo vetëm të shqiptarëve, por gjithandej botës të dashamirëve të futbollit e duke marrë vëmendjen e të gjitha medieve nëpër botë me lavdinë më të madhe.

Prandaj, ky përvjetor është më i ëmbël se kurrë e  FFK-ja gjithmonë këtë ditë e shënon me krenari dhe me aktivitete të shumta. Nuk ka njeri të mos ndjehet krenar e në veçanti FFK-ja, me njerëzit e saj dhe kreun Agim Ademi, i cili duke qenë edhe vet pjesëmarrës prej vënies së gurit të parë themeltar i ka rënë barra të bartë shënimin e kësaj date për vite të tëra.

Të gjithë me nderim e krenari e kujtojmë këtë datë sa historike e të lavdishme, kur futbolli i Kosovës mori rrugën e pavarësisë duke i paraprirë edhet formimit të shtetit të Kosovës atëbotë, ndërsa sot duke u bërë ambasadorët më të mirë ku donë botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat