Shkëndija dominon

Futboll

Shkëndija dominon

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 19:13
Shkëndija

Shkëndija dominon dhe fitojnë bindshën 3:0 Rabotniçkin në xhiron e 5-të. Junior, Alimi dhe Totre shënojnë golat për triumfin e parë sezonal.

Me Erhan Selimin në pankinë skuadra u duk e karikuar për të ndërprerë serinë negative, për më shumë që mungonte fitorja në katër xhirot paraprake.

Kuqezinjtë operonin në pjesën kundërshtare dhe epërsisë i’u afruam në minutën e 8-të me Juniorin, mirëpo braziliani vonohet pas aksionit të Shefitit dhe mysafirët pastrojnë rrezikun. Shkëndija ishte në sulm vazhdimisht dhe loja e tillë solli ndryshim në minutën e 19-të kur Mici harkon para portës, ndërsa Junior me kokë shënon golin e epërsisë.

Kundërshtari u mundua të përgjigjet duke tentuar të ushtrojë presion, mirëpo u përball me një Shkëndijë mirë të organizuar në defanzivë dhe për minuta të tërë munguan shanset para portave respektive. Qetësia do të prishej në minutën e 37-të kur pas një aksioni nga krahu i majtë Mici pason brenda zonës për Alimin, i cili krijon pozitë dhe me një të djathtë të fortë shënon gol të bukur për dyfishim të rezultatit. Kundërshtari në pjesën e parë ishte totalisht i pafuqishëm dhe dëshmi për këtë është fakti se goditjen e parë në kuadrantin e portës e kishin në minutën e 44-t kur Zahov pa problem kontrollon tentimin e plogshtë të Petkovskit.

Fraksionin e dytë e nisëm me një bombë të Zejnullait që fatkeqësisht nuk gjeti kuadrantin. Shkëndija vazhdoi të kontrollojë ngjarjet në fushë dhe kishte disa mundësi për të sjellë golin e tretë, mirëpo Alimi në dy raste dhe Shefiti një herë nuk arrijnë të realizojnë. Tetë minuta para fundit aksion të bukur zhvillojnë Junior dhe Totre, asisti i brazilianit devijohet dhe pastrohet në moment të fundit nga Shishkovski, ndërsa në vazhdim Radeski gjuan në trup të portierit mysafir. Gjithsesi kuqezinjtë do të sillnin golin e tretë në minutën e 90-të kur Besart Ibraimi kthen topin në zonë ku Totre plason saktë për rezultat përfundimtarë Shkëndija 3, Rabotniçki 0.

SHKËNDIJA-RABOTNIÇKI 3:0 (2:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 1 000
Arbitër: Dejan Jakimovski
Golashënues: Junior 19′, Alimi 37′ dhe Totre 90′ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Bejtullai (c), Neziri, Mici, Zejnullai, Alimi, A. Ibraimi (Totre 75′), Felipe (Radeski 69′), Junior, Shefiti (B. Ibraimi 88′).
Trajner: Erhan Selimi.
RABOTNIÇKI: Shishkovski, Velkovski, Iliq, Herera (c), Petkovski, Markoviq (Siljanovski 74′), Stojkov, Todorovski, Sharkoski, Stojçevski (Krstevski 46′), Klisura (Jusufi 46′).
Trajner: Aleksandar Vlaho.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat