Rashica i gatshëm për ndeshjen e fundjavës ndaj Leipzigut

Futboll

Rashica i gatshëm për ndeshjen e fundjavës ndaj Leipzigut

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 00:12
Milot Rashica

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, do të luajë prej minutës së parë te Werder Bremeni në duelin që e zhvillon në shtëpi kundër RB Leipzigut, kanë njoftuar të mërkurën mediumet gjermane.

Bëhet e ditur se Rashica që prej të martës ka nisur stërvitjet e përbashkëta me ekipin, do të jetë plotësisht i gatshëm për ndeshjen e xhiros së pestë të Bundesligës, që luhet të shtunën (18:30).

Rashica deri më tash ka vetëm një paraqitje këtë edicion, pasi në ndeshjen e xhiros së parë ndaj Fortuna Duesseldorfit u lëndua në minutën e 65-të. Ai mungoi në tri ndeshjet e fundit te Werderi që deri më tani ka tubuar gjashtë pikë dhe zë vendin e dhjetë në tabelë.

“Miloti po duket mirë dhe do të kthehet në përbërje në ndeshjen që e luajmë në shtëpi kundër Leipzigut”, ka thënë drejtori i Werderit, Frank Baumann.

Shkaku i lëndimit muskulor, Rashica mungoi edhe te Përfaqësuesja e Kosovës në ndeshjet eliminatore për “Euro 2020” të këtij muaji ndaj Çekisë e Anglisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat