Vata i përgjigjet Dallkut: Ja e vërteta me pasaportat jugosllave

Futboll

Vata i përgjigjet Dallkut: Ja e vërteta me pasaportat jugosllave

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 12:50
Debati për Mavrajn, Rudi Vata i përgjigjet Dallkut: Ja e vërteta me pasaportat jugosllave

Kritikat ndodh të jenë të papëlqye shme. Ndodh edhe që të krijojnë debate, në të cilat ka edhe përplasje mendimesh që kundërshtojnë njëra-tjetrën.

Ndodh edhe në futboll, kur dy ishkapitenë të Kombëtares të kenë një qëndrim të ndryshëm. Rudi Vata, ndër të tjera, artikuloi se Kombëtarja ka nevojë për rifreskim, duke shtuar edhe për kapitenin Mërgim Mavraj që nuk ka më se çfarë t’i japë ekipit përfaqësues.

Mirëpo, në momentin kur Vata foli për “Panorama Sport”, tregoi edhe se luftën e tij, në momentin kur është larguar nga Shqipëria, e ka bërë me pasaportën shqiptare dhe jo atë jugosllave. Deklaratë për të cilën Armend Dallku, një tjetër ish-kapiten me kontribute në Kombëtare, tha se shqiptarët e Kosovës janë të ofenduar dhe se Vata duhet të kërkojë ndjesë, diçka për të cilën shkodrani për “Panorama Sport” e mohon. Ai shprehet se jeton në një vend të lirë dhe pikërisht për ta fituar këtë gjë, u largua nga Shqipëria.

Vata, mendimet dhe kritikat tuaja kundërshtohen në një pikë nga Armend Dallku, i cili, duke e theksuar se ju keni opinionin tuaj, mendon se jeni nxituar që të caktoni se kur duhet të ikin lojtarët…

Unë sigurisht që nuk e kam një post, por kjo nuk më ndalon mua që të jap një opinion, sepse unë në karrierën time sportive dhe të futbollit, kam pasur një eksperiencë të madhe dhe, bazuar te ajo, unë mund të dal në një konkluzion.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Që unë nuk dal në konkluzione duke lexuar një libër të X-it apo Y-it, por vetëm mbi eksperiencën që unë kam kaluar, di se çfarë ndodh me një lojtar 33-34-vjeçar. Di se sa e vështirë është koha e rikuperimit në rast të një dëmtimi. Sa e vështirë është që të arrijë në nivelet optimale. Vetëm nëse ti je një Ronaldo, i cili është fenomen jashtëtokësor, mund të mendosh që je i njëjti lojtar edhe në moshën 33-vjeçare siç ke qenë 30 vjeç. Bazuar te këto fakte, unë jap një mendim të lirë dhe të shëndetshëm. Jo një mendim për të ofenduar apo për të atakuar dikë personalisht. E për ta dhënë këtë mendim, unë jam ftuar nëpër media apo nëpër studio.

Por në reagimin tuaj, keni përmendur edhe pasaportën jugosllave, e cila, sipas Dallkut, ka ofenduar shqiptarët e Kosovës…

Kur kam përmendur pasaportën jugosllave, kam thënë që kam dalë jashtë vendit me pasaportë shqiptare, duke ditur shkallën e vështirësisë që ka pasur një shqiptar në vitin 1991 për t’u larguar me pasaportë shqiptare. Shkalla e vështirësisë ka qenë 100 herë se të largoheshe me pasaportë jugosllave. Dallku ndoshta nuk e mban mend në vitet ’90, por unë si shqiptar kam ndier diskriminimin më të madh të mundshëm në një vend si Franca, kur kam qëndruar atje dhe më kanë pyetur se a dinë shqiptarët të luajnë futboll. Në këtë lloj prizmi e kam thënë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat