Shosholli: Politikës serbe i interesonte si kemi shkuar në Shqipëri

Futboll

Shosholli: Politikës serbe i interesonte si kemi shkuar në Shqipëri

Nga: Kemajl Goca Më: 19 shtator 2019 Në ora: 15:07
Shosholli: Politikës serbe i interesonte si kemi shkuar në Shqipëri

Selektori i parë i kombëtares së Kosovës, Ajet Shosholli, si sot iu kujtohet sfida revyale (me 14 shkurt, 1993) me kombëtaren e Shqipërisë në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë, ku kuqezinjtë fituan me rezultat 3:1. Futbollistët e kombëtares së Kosovës nuk kishin më shumë se nëntë stërvitje, por pak kishte rëndësi kjo, sa ishte e rëndësishme zhvillimi i sfidës me Shqipërinë.

“Unë edhe kryesisë i pata thënë, nëse në pikëpamje profesionale (me qenë kushtet normale), asnjëherë nuk kisha pranuar që unë me nëntë stërvitje të shkoi e ta luajë një ndeshje me kombëtaren e Shqipërisë, por ishte shumë me shumë rëndësi atëkohë, që ne të bëjmë si kombëtare ndeshje dhe të bëjmë lojë. Pikërisht i falënderojmë edhe sot e asaj dite zyrtarët e Shqipërisë posaçërisht drejtorin e atëhershëm Eduard Dervishin i cili tani është pjesë federatës në Spanjë, së bashku me gjithë bordin tjetër, si dhe seleksionuesin, kolegun Bejtush Birçe, që na mundësuan at ndeshje.

Ndeshjen e dytë, pastaj e luajtëm me 17 shkurt me ekipin e Albpetrolit të Patosit, përndryshe atëkohë ishte finalist i Kupës së Shqipërisë, at ndeshje e fituam me 3:2, mirëpo për ne ishte me rëndësi si kombëtare si Kosovë të dalim, për atëkohë ia arritëm qëllimit edhe pse kishte rreziqe të shumta si për futbollistët si për anëtarët e kryesisë si për vet Shtabin Teknik, megjithatë ne nuk i kemi menduar ato gjëra, ne kemi menduar si ta afirmojnë futbollin e Kosovës qoftë përmes ligës, të cilën e kemi pasur shumë mirë të organizuar qoftë edhe përmes kombëtares që e patëm formuar”, thotë Shosholli për gazetën kombëtare “Bota sot”. Pas kthimit nga Tirana Shosholli me stafin tjetër kishin kërcënime nga pushtuesi serb.

“Pastaj, pas këtij turneut në Shqipëri, diku në muajin maj – qershor, kemi qenë të ftuar në milici, të cilat biseda informative kanë qenë të zakonshme për rrethanat e asaj kohe, ku e ftuan kryetarin Agim Bytyqin në Prizren, unë në Mitrovicë, si seleksionues e Jakup Berishën si anëtar i kryesisë në Gjilan, pasi që ishte i Gjilanit. Politikës serbe i interesonte si kemi shkuar, si kemi luajtur në Tiranë, normalisht bisedat informative zgjasni 5-6 orë. Ka qenë entuziazëm i fortë dhe nuk na ka ndal asgjë qoftë futbollistët qoftë kryesinë apo edhe vet Shtabin Teknik”, tregon ish selektori.

Shosholli komenton edhe ecurinë e shkëlqyeshme të Kosovës në kualifikueset për Kampionatin Evropian 2020, e cila renditet në vend të tretë me 8 pikë në grupin A. “Mendoj se është kënaqësi për çdo shqiptar jo vetëm këtu në Kosovë, në diasporë e kudo që jetojnë shqiptarë, që kemi krijuar një kombëtare shumë respektabile, një kombëtare cilësore. Nuk është rastësi sepse ishin pa humbje në 15 ndeshje, ndeshjen e 16-të e humbën, nuk u koritën, lamë një përshtypje shumë të mirë në opinionin jo vetëm anglez por edhe evropian.

Është kënaqësi që kemi ata djem të shkolluar nëpër perëndim, në Evropë dhe që po tregojnë cilësi shumë të madhe, me një shans që ne për herë të parë në historikun e futbollit, që të jemi pjesëmarrës në evropianin 2020.

Mirëpo në futboll ndodhë çdo gjë edhe nëse nuk kualifikohemi, që kam shpresë shumë të madhe që në rundin e parë, e kemi edhe shansin e dytë në mars me ekipin e Maqedonisë së Veriut. Ne kemi treguar që kemi formuar një kombëtare shumë cilësore e respektabile, përveç cilësisë që kemi është një komponent shumë e madhe të djem tanë, që kanë motiv të hatashëm, së pari për të prezantuar Kosovën, njëkohësisht në arenën ndërkombëtare t’ia ngrisin vlerën vetes apo ta ngrisin veten individualisht, që e kemi rastin tipik menjëherë pas këtyre ndeshjeve, ku vlera e Vedat Muriqit tani diku sillet 40-50 milionë euro, deri tash ka qe dy-tre milionë euro apo i një Rashicës.

Është një kompliment shumë i madh për djelmoshat tanë, të cilët përveç Kosovës që e afirmojnë edhe veten individualisht, që është sportive dhe normale. Sepse kulmi i një sportistit, në këtë rast i futbollistëve tanë është që të luajnë për kombëtaren dhe aty të tregojnë lojëra cilësore, ta tregojnë veten si cilësi, mendoj se deri me tani po e bëjnë në mënyrë të shkëlqyeshme”, përfundoi Shosholli. (fund).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat