Plani i Cërvena Zvezdës për Kosovë

Futboll

Plani i Cërvena Zvezdës për Kosovë

Nga: Kemajl Goca Më: 20 shtator 2019 Në ora: 11:14
Plani i Cërvena Zvezdës për Kosovë

Cërvena Zvezda e Beogradit ka disa plane për Kosovë, për të ardhur dhe për ta zhvilluar ndeshjen e 1/16-ës së finales së Kupës së Serbisë, kundër Trepçës fantome! E para, Cërvena Zvezda e ka më së të qartë, që të futet në kufirin e Jarinjes me autobusin e klubit, që do të ketë shumë të vështirë.  Spekulohet se plani i tyre është që të nisen me makina private dikush më herët  e dikush më vonë.  

Opsioni tjetër është që përmes kryetarit të nderit Dragan Xhajiçit, drejtorit sportiv Mitar Mërkella dhe kryetarit të klubit, Zvezdan Terziqi, të gjejnë një alternativë tjetër që shkojnë në Zveçan me 25 shtator. E treta, si opsion i fundit është që Cërvena Zvezda të kërkojë që ndeshjen të luajë në stadiumin ‘Rajko Mitiq’ në Beograd, me Trepçën fantome, për shkak se nuk duan të rrezikojnë dhe të futen në një shtet tjetër pa lejen përkatëse.  Po ashtu e kanë edhe frikën nga UEFA sepse Federata e Futbollit e Kosovës, në krye me kryetarin Agim Ademi, veç i janë drejtuar UEFA-së për këtë ndeshje skandaloze.

Kryetari i Komisionit të Garave në Federatën e Futbollit të Serbisë Miodrag Jankoviq ka theksuar se organizimi i ndeshjes Trepça – Cërvena Zvezda, udhëtimi i shikuesve në Zveçan është mision i pamundshëm në këtë moment.

“Ne do përpiqemi që kjo ndeshje të luhet në termin e paraparë, pasi Trepça është vendës, por realisht ka probleme në organizim”, kështu ka thënë ditë me parë Jankoviq. Kjo deklaratë më shumë duket si diplomatike dhe për të heshtur opinionin, e në fakt në forma ilegale ta fusin Zvezdën në Kosovë, si kampion i Serbisë dhe si simbol i futbollit serb!

Këto janë edhe taktikat që bëjnë serbët dhe edhe me automjete private të futen në shtetin e Kosovës. Nuk është larg 25 shtatori, mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat