Shoshi: Istogu është në rrugë të mirë

Futboll

Shoshi: Istogu është në rrugë të mirë

Nga: Kemajl Goca Më: 20 shtator 2019 Në ora: 18:00
Shoshi: Istogu është në rrugë të mirë

Istogu e ka nisur për mrekulli edicionin e ri në Ligën e Parë të Kosovës, në katër ndeshjet e para ka tri fitore e një barazim, kryeson renditjen me 10 pikë, një më shumë se Liria nga Prizreni dhe Dardana. Në katër ndeshje shënuan gjashtë gola e pësuan vetëm dy, duke dëshmuar mbrojtjen më të mirë deri me tash në ligë. Këto rezultate janë edhe si fryt i punës së madhe të kryetrajnerit Valdet Shoshi.

Ai punon me një përkushtim duke e rritur edhe nivelin e lojës, që po jep frytet e saja. “Fal punës dhe disiplinës ndoshta kur askush si ka pritur këto rezultate, mbas xhiros së 4-të jemi në krye. Duhet t’i falënderoi çunat për punë dhe angazhimin, të cilët janë më të merituarit”, tha Shoshi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Sa i përket synimeve Shoshi tha: “Synimet? Kur kam biseduar me kryetarin e klubit dhe drejtorin kanë qenë sigurimi i ekzistencës. Duhet ta falënderoi kryetarin e klubit Fazli Bytyqin si dhe drejtorin e klubit për mbështetjen”. Sfidën e radhës në Prishtinë, kundër 2 Korrikut, do t’iu kënaq edhe një pikë? “Po, gjithsesi duke ditur se na pret një udhëtim mjaft i vështirë por jemi optimist për një rezultat pozitiv. Secila lojë ka peshën e vet e posaçërisht lojërat në udhëtim, sidomos kur luajmë ndaj 2 Korrikut. Duhet të kesh koncentrim deri në minutën e fundit”, përgjigjet Shoshi. Ish futbollisti i mirënjohur pejan flet edhe për kushtet dhe sa është i kënaqur edhe me fondin e lojtarëve, si dhe çka i duhet më shumë. “Klubi është në rrugë të mirë, shumë shpejt do të dalin me një komunikatë, ku pret OJQ, tani klubi të bëhet Shoqëri aksionare.

Kushtet dhe fondi janë të mira por shpresojmë mbas kalimit të klubit në Shoqëri Aksionare atëherë të përmirësohen edhe më mirë dhe synimet të jenë Superliga, sepse këtë e kërkojnë shikuesit e Istogut të cilët e meritojnë. Gjashtë ndeshje në fazën përgatitore dhe 4 në kampionat Istogu pa humbje”, tregon Shoshi. Si e sheh ligën e parë shumë të fortë, a iu duket sikur një Superligë e dytë, kur janë aty edhe Liria, Vëllaznimi, Besa, Trepça, KEK-u, Ramiz Sadiku, 2 Korriku?

“Çdo trajner ka atë që mendon se është mënyra me ideale për të luajtur, por ne gjithashtu duhet të jemi fleksibil. Me pëlqen që skuadra të mos shqetësohet shumë për rezultatin, të luajnë lirshëm, te mos kthehesh mbrapa, të jeni një ekip që e zhvillon lojën, ekip që e ka thellësinë dhe të jetë një balancë e mirë mes lojës së shkurtër dhe lojës së gjatë.

Gjithsesi me këto ekipe që kanë traditë të futbollit liga e parë është shumë më interesante, duke ditur që vitin e ardhshëm edhe Superliga do të numëroi vetëm 10 ekipe, liga e parë dhe liga e dytë unike do të janë edhe më shumë atraktive. Aty janë edhe 2 Korriku, KEK-u dhe Trepça”, thotë Shoshi. Në Istog është një atmosferë e shkëlqyeshme dhe të gjithë me optimizëm e presin sfidën e të dielës (me 22 shtator) kundër 2 Korrikut në Prishtinë. 

BO X 1
Liga e Parë, java e 5-të
E shtunë

KEK-u-Dardana
Ramiz Sadiku-Trepça

E diel
Onix-Liria
Vllaznia-Vitia
Drenasi-Ulpiana
Malisheva-Arbëria
2 Korriku-Istogu
Besa-Vëllaznimi
Ndeshjet fillojnë në orën 15.00

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat