Milan-Inter, derbi luhet edhe në stola. Giampaolo sfidon Conte - Bota Sot
Milan-Inter, derbi luhet edhe në stola. Giampaolo sfidon Conte

Futboll

Milan-Inter, derbi luhet edhe në stola. Giampaolo sfidon Conte

Më: 21 shtator 2019 Në ora: 10:19
Giampaolo sfidon Conte

Dritat do të ndizen në “San Siro” për derbin e radhës. Mbrëmja më e shumëpritur tashmë ka trokitur. Në fakt, sonte, derbi i Madoninës do të mbajë në ankth jo vetëm tifozëritë e dy skuadrave, Milanit dhe Interit, por krejt Italinë, kontinentin e më gjerë. Dy skuadra me emër e histori të madhe në Serie A dhe futbollin europian do të “përplasin brirët” për herë të parë në këtë edicion të ri, me ambicie të mëdha të dyanshme. Interi, pas tri fitoreve radhazi në kampionat, është ulur me “këmbë në tokë” nga barazimi zhgënjyes në shtëpi i mesjavës, në Ligën e Kampionëve, kundër Slavia Praga. Mediat kanë raportuar edhe për konfrontime në dhomën e zhveshjes zikaltër, midis Brovovic dhe Lukaku.

Në vend të kësaj, Milani, të paktën për sa iu përket rezultateve, ka bërë autokritikë për humbjen e keqe, të pësuar në sfidën inauguruese të Serie A, kundër Udinese. Kuqezinjtë kanë mposhtur Brescia dhe Verona, edhe pse pa shkëlqyer me lojë. Milani dhe Interi, nga ana tjetër, vijnë në këtë derbi shumë të ndryshuar, nëse jo të revolucionarizuar, në krahasim me sezonin e kaluar. Duke u nisur nga dy stolat, ku tani ulen Marco Giampaolo dhe Antonio Conte. I pari u zgjodh nga udhëheqja e re e kuqezinjve për ta rikthyer Milanin në lavditë e së kaluarës. Conte, nga ana tjetër, u mbështet fuqimisht nga Beppe Marotta, me një qëllim të madh: të fitonte përsëri. Sa më shpejt që të jetë e mundur.

Rruga e nisur në këtë drejtim duket se është e duhura, duke pasur parasysh që Interi aktualisht është lideri i vetëm i Serie A, me pikë të plota pas tri ndeshjesh. Milani ndjek kreun, me tri pikë më pak, por ëndërron fitoren sonte, çka do t’i lejonte atij të barazohej me “kushërinjtë”. Giampaolo do të duhet të heqë dorë nga Calabria, i pezulluar, i cila do të zëvendësohet nga Conti, në krahun e djathtë. Për pjesën tjetër të formacionit, dyshimi i madh është midis Paquetà dhe Rebic, me brazilianin pak të favorizuar ndaj të ardhurit të fundit. Conte duket se është i prirur ta lërë Candreva të pushojë, ndërsa D'Ambrosio do të luajë në vendin e tij. Përkundrazi, Barella preferohet para Vecino në mesfushë. Në sulm shkohet drejt konfirmimit të çiftit Lautaro-Lukaku.

Formacionet e mundshme:
MILAN (4-3-2-1): Donnarumma; Conti, Musacchio, Romagnoli, Rodriguez; Kessiè, Biglia, Calhanoglu; Suso, Paquetà; Piatek.

INTER (3-5-2): Handanovic; Godin, De Vrij, Skriniar; D'Ambrosio, Barella, Brozovic, Sensi, Asamoah; Lautaro Martinez, Lukaku.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...