Flet Rugova, ka disa fjalë për Kosovën - Bota Sot
Flet Rugova, ka disa fjalë për Kosovën

Futboll

Flet Rugova, ka disa fjalë për Kosovën

Më: 21 shtator 2019 Në ora: 19:35
Flet Rugova, ka disa fjalë për Kosovën

Për ngritjen madhështore të Kombëtares së Kosovës është duke u folur gjithandej në mediat më të rëndësishme botërore. Në saje të paraqitjeve mbresëlënëse të Dardanëve në Ligën e Kombeve dhe në kualifikimet për Euro 2020, Kosova ka arritur të bëhet histori suksesi.

Një ndër ata që e dhanë kontributin në fillet e para të ndërtimit Kombëtares së sotme është edhe ish-futbollisti i gjeneratës së artë të Prishtinës, Edmond Rugova. Ai e drejtoi Kombëtaren e Kosovës për më shumë se tri vjet, por në rrethana dhe kushte të vështira, ngase ishte po thuajse e pamundur zhvillimi i ndeshjeve ndërkombëtare. Gjithsesi, një të tillë Kosova e zhvilloi nën drejtimin e tij kundër Arabisë Saudite në Turqi dhe e fitoi.

Rugova, i cili jeton në Amerikë, ndjehet tejet i emocionuar sa herë që Kosova i zhvillon ndeshjet e saj, teksa kujton ditët kur ishte i angazhuar në krijimin e një ekipi kombëtar.

“Në atë kohë mu dha besimi ta drejtoja ekipin dhe ishte një privilegj sado që ishim ende të izoluar. Filluam diçka të ndërtojmë, por rrethanat ishin të vështira.

Tani kemi i kemi tejkaluar vështirësitë dhe jemi të barabartë me të gjitha anëtaret e UEFA-s e FIFA-s. Për suksesin e Kosovës flasin të gjithë. Jam shumë entuziast dhe me lot në sy i kam ndjekur të dyja ndeshjet e fundit. Ne që jemi larg atdheut ndoshta e përjetojmë edhe më afër zemrës”, ka thënë Rugova në një bisedë për faqen zyrtare të FFK-së.

Ai tutje thekson se, ne, si popull e kemi një mentalitet të tillë që gjithmonë presim fitore, pa marrë parasysh me kënd luajmë dhe deri më tash djemtë Dardanë nuk kanë zhgënjyer me paraqitjet e tyre.

“Këta djem na kanë bërë krenarë të gjithëve. Kësi entuziazmi e krenarie nuk kemi përjetuar asnjëherë. Fitorja me Çekinë, por edhe paraqitja me Anglinë ishin mbresëlënëse. Djemtë u treguan fantastik. Edhe pse humbën kundër Anglisë ajo nuk ishte kurrfarë përulje, pasi djemtë tanë dolën si trima dhe na bënë krenarë”, ka shtuar ish-përzgjedhësi i Kosovës.

Ai mendon se Kosova, sot, është bërë forcë e jashtëzakonshme në futboll dhe e gjithë kjo  ka ardhur në saje të bashkëpunimit të mirë ndërmjet krerëve të FFK-së, shtabit teknik të Kombëtares dhe futbollistëve.

“Për mendimin tim ky sukses nuk është i rastësishëm, ngase është krijuar një kohezion. Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu kanë arritur të krijojnë bashkëpunim të shkëlqyeshëm me shtabin teknik në krye me përzgjedhësin Bernard Challandes dhe me futbollistët, duke funksionuar si një trup i vetëm, derisa edhe kushtet janë përmirësuar dukshëm. Unë kam qenë në pozitën e përzgjedhësit dhe e di çfarë do të thotë kur janë të gjitha kushtet optimale për punë. Në periudhën time përkrahje morale kishte sa të duash por na mungonin mjetet. Por, tani është një lidhje e ngushtë ndërmjet të gjitha palëve të përfshira dhe gjithçka po ecën në mënyrën më të mirë të mundshme. Futbollistët tanë po i binden filozofisë së trajnerit zviceran, derisa krerët e FFK-së po e bëjnë punën e tyre për t’i ofruar atyre kushte sa më të mira. Pa këtë kohezion suksesi nuk do të ishte i mundur, e këtë e dëshmon më së miri rasti i Kombëtares së Argjentinës, e cila edhe pse e ka një yll si Messi në ekip s’ka sukses. Problemi qëndron se drejtuesit e federatës nuk bashkëpunojnë me shtabin teknik dhe me futbollistët, gjë e cila ndodh edhe të shumë vende tjera. Ndërkaq, tek ne shihet se është duke u bërë një punë shumë e mbarë dhe ka mirëkuptim ndërmjet tri palëve: Drejtues të Federatës – Shtab teknik – Futbollistë. Pra, është krijuar një mundësi e mirë për sukses”, ka vlerësuar tutje Rugova.

Ish-përzgjedhësi i Kosovës ka folur edhe rreth mundësisë së kualifikimit të Dardanëve në Euro 2020. “Unë besoj se do të kualifikohemi, edhe pse jam i vetëdijshëm se nuk është aspak e lehtë. Sfidën me Malin e Zi besoj që e kalojmë pa problem dhe konsideroj se barazimi atje ishte një lëshim nga ana jonë.

Kundër Çekisë jam i bindur se nuk humbim, por duhet të shkojmë atje me entuziazëm dhe pse jo ta kërkojmë fitoren, derisa në ndeshjen e fundit kundër Anglisë duhet të luajmë ‘All or nothing’ (për gjithçka ose asgjë). Sigurisht se për ne do të jetë pak më vështirë arritja në Evuropian se sa për çekët sepse ashtu janë rrethanat, por duhet të besojmë”, ka nënvizuar Rugova.

Ai mendon se pa marrë parasysh nëse arrihet apo jo suksesi historik, Kosova e ka fituar respektin dhe vëmendjen e të gjithëve dhe kjo është një e arritur e madhe.

“Bota ka filluar të besoj tek kjo Kombëtare dhe të gjithë pyesin ku është ky vend i vogël me kaq zemër të madhe. Edhe nëse nuk arrihet kualifikimi, gjë të cilën nuk dua ta mendoj sepse kemi arritur kaq afër, megjithatë ne jemi fitues të këtij cikli, sepse të gjithë po flasin për Kosovën”, ka thënë Rugova, i cili në fund ka falënderuar presidentin Agim Ademi, i cili kohë më parë e ka nderuar për kontributin e dhënë në futbollin e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...