Ademi takohet me mikun e madh të Kosovës

Futboll

Ademi takohet me mikun e madh të Kosovës

Më: 24 shtator 2019 Në ora: 15:38
Ademi takohet me mikun e madh të Kosovës

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, gjatë qëndrimit në Milano ka takuar zëvendëssekretarin e përgjithshëm të FIFA-s, Alasdair Bell, i cili në opinionin tonë njihet për argumentimin e shkëlqyeshëm që i dha Kongresit të UEFA-s në maj të vitit 2016 për të drejtën e Kosovës për t’u bërë anëtare e UEFA-s.

Ademi edhe një herë në emër të komunitetit të futbollit në Kosovë e falënderoi z. Bell për respektin që ka treguar ndaj FFK-së dhe për argumentimin brilant ligjor në favor të pranimit të Kosovës në UEFA. Presidenti Ademi theksoi se opinioni në Kosovë ende e ka të freskët fjalimin e z. Bell, i cili arriti të heqë të gjitha pengesat ligjore kundrejt votimit për anëtarësim të Kosovës në UEFA.

Nga ana e tij z. Bell ishte modest, duke theksuar se në atë ditë para Kongresit të UEFA-s kishte interpretuar ligjin dhe rregullat e pranimit dhe kjo ishte një e drejtë legjitime e Kosovës. Ai e përgëzoj presidentin Ademi për arritjet e deritashme dhe u shpreh i lumtur që Kosova në këto tri vite të anëtarësimi në UEFA e FIFA ka bërë hapa të mëdhenj përpara dhe po tregohet storie e suksesit në çdo fushë. Ndërkohë, temë e këtij takimi ishte çështja e Loret Sadikut, i cili ende nuk ka arritur ta përmbyllë procesin rreth fitimit të së drejtës për t’u paraqitur në Kombëtaren e Kosovës.

Me këtë rast, z. Bell theksoi se do të përkujdeset për të parë se ku ka ngecur ky proces dhe nëse mund të ecet tutje. Në fund, presidenti Ademi e ftoi z. Bell që ta vizitojë Kosovën, në njërin prej manifestimeve të FFK-së, për çka ai u shpreh falënderues dhe theksoi se me dëshirën më të madhe do të vjen në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat