Sermaxhaj: Kosova ka përparësi në çdo aspekt

Futboll

Sermaxhaj: Kosova ka përparësi në çdo aspekt

Nga: Kemajl Goca Më: 24 shtator 2019 Në ora: 17:33
Sermaxhaj: Kosova ka përparësi në çdo aspekt

Përzgjedhësi i Malit të Zi, boshnjaku Faruk Haxhibegiq, ish futbollisti i mirënjohur, ka publikuar listën e 20 futbollistëve për sfidën  e 11 tetorit ndaj Bullgarisë dhe me 14 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kundër Kosovës, në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020.  

Mali i Zi është para sprovave të vështira, që ia ka frikën sidomos Kosovës, pasi që e kjo e fundit ka një gjeneratë të re e të shkëlqyeshme të futbollistëve. Kosova ka luajtur një sfidë me Malin e Zi në Podgoricë, ku kishte importuar një pikë. Kosova është në grupin A dhe renditet në pozitën e tretë me 8 pikë, ka 4 me pak se lideri Anglia dhe një se Çekia që renditet në vend të dytë.

Mali i Zi dhe Bullgaria ndajnë vendin e katërt dhe të pestë me nga 2 pikë të mbledhura. Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, mendon se Mali i Zi ka një përbërje të mirë por jo cilësore sikurse Kosova. “Jo të rrezikshëm, jo aq cilësor sa i përfaqësueses sonë, jo me lojë të bukur e kreative e tjera, e tjera, prandaj ne jemi në çdo aspekt më të mire se sa kundërshtari, po ashtu jemi më të motivuar se sa ata, sepse na duhet fitorja me çdo kusht për të qenë më afër kualifikimit, derisa ata nuk kanë asnjë gjasë dhe kanë motiv zero”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Sermaxhaj.

Nuk ka edhe shumë kohë, pothuajse tri javë para sfidës me Malin e Zi dhe sipas Sermaxhajt ka gjasa ndonjë nga të lënduarit e Kosovës (Rashica, Kololli, Shala, Kryeziu) që të rikthehet. “Ka gjasa që ndonjë lojtarë i lënduar të kthehet në përbërje dhe të vazhdojmë njësoj sikur ndeshjet e kaluara. Kosova përveç rezultateve të mira që ka bërë, po ashtu ka treguar edhe lojë të bukur e me shumë raste shënimi, prandaj le të vazhdoj njësoj edhe në ndeshjet e mbetura”, nënvizoi ai.

Sermaxhaj tha se duhen të jenë të kujdesshëm, se në futboll kurrë nuk i dihet: “Futbolli është një lojë të cilës nuk i dihet por duke u bazuar në formën, rezultatet dhe mënyrën se si luajnë, atëherë besoj shumë në fitore bindëse ndaj Malit te Zi”. Ku ka përparësi Kosova? “Kosova ka përparësi në çdo aspekt, prandaj nuk besoj se do të rrezikohet shumë nga kundërshtarët. Por për të qenë të tillë, duhet të futen në loje me seriozitet dhe vetëm për fitore madje të arrijnë sa më herët tek realizimi i golit për të qenë lojtarët më të lirë në veprimet tjera individuale dhe grupore që sjell loja”, përfundoi Sermaxhaj.

Lista e lojtarëve: 
Portierë: Danijel Petkoviç (Angers), Millan Mijatoviq (Levski), Andria Dragojeviq (Pjunik); mbrojtës: Stefan Saviq (Atletico Madrid), Marko Simiq (Pahtakor), Zharko Tomasheviq (Astana), Adam Marushiq (Lazio, Italia), Dushan Lagator (Sochi); mesfushorë: Nikola Vukçeviç (Levante), Marko Veshoviq (Legia), Vlladimir Jovoviq (Jablonec), Marko Jankoviq (SPAL), Aleksandar Shçekiç (Partizan Beograd), Nebojsha Kosoviq (Kairat), Aleksandar Boleviq (Standard Liege), Sead Hakshabanoviq (Norkoping), Vukan Saviqeviq (Wisla Krakow), Deni Hoçko (Mouscron); sulmues: Fatos Beqiraj (Maccabi N.) dhe Stefan Mugosha (Incheon).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat