Dallku: Prishtina nuk identifikohet vetëm me një individ 

Futboll

Dallku: Prishtina nuk identifikohet vetëm me një individ 

Më: 24 shtator 2019 Në ora: 18:55
Dallku: Prishtina nuk identifikohet vetëm me një individ 

Dukagjini po shënon rezultatet më të zeza në historinë e tyre në elitën e futbollit. Klinasit përveç që kanë një barazim nga pesë ndeshjet e deritashme, të tjerat humbje, aq më keq që sulmuesit e saj nuk e kanë gjetur ende rrjetën edhe pas 450 minutave! Ky është një rekord i zi për një klub që u kthye pas 16 viteve në elitë.

Dukagjini është në fund të renditjes me një pikë, ndërsa nesër (18.00) ka sfidë shumë të vështirë, kundër Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndeshje e mbetur e javës së dytë.  “Edhe pse skuadra e fundit në klasifikim me vetëm një pikë të tubuar dhe pa shënuar gol, bardhekaltrit janë maksimalisht të mobilizuar. Edhe historia nuk flet mirë, për dy vite sa ka qëndruar Dukagjini në elitën e futbollit tonë (2001-2003), nuk është mposhtur nga Prishtina në katër përballjet duke luajtur 3 herë baras dhe një fitore të klinasve (2:0, vjeshtë 2002).

Në dy përballjet në kryeqendër rezultatet ishin të mbyllura baras pa gola dhe një barazim në Klinë 1:1. Sidoqoftë, këto shifra janë vetëm sa për statistika dhe për mosnënçmim të kundërshtarit, sidomos tani kur skuadra ka marrë veten dhe do të tregoj që është e aftë për vazhdimësi pozitive. Prishtina nuk do t’i ketë në dispozicion dy të lënduarit, Ahmed Januzi e Ahmet Haliti - shkalla e lëndimit ende nuk dihet, por nuk është e rëndë dhe mund të pritet rikthimi në ndeshjen e së dielës me Vushtrrinë”, thuhet nga FC Prishtina.

Bardhekaltrit janë në formë të mirë dhe ende të gëzuar pas fitores 2:1 kundër Gjilanit. Kryetrajneri i ri i Prishtinës,  Armend Dallku, tha se me Dukagjinin është një test tjetër. “Pas një ndeshje me Gjilanin, për mendimin tim mjaft të mirë brenda fushës nga lojtarët tanë, normalisht duke pasur edhe defektet e veta të lojës, por në fund të fundit është rezultati ai që është i kënaqshëm për neve dhe tash vjen testi tjetër, Dukagjini.

Tani është komplet tjetër ndeshje dhe pothuajse tjetër karakter, sepse Gjilani ka qenë në krye të tabelës, ndërsa Dukagjini janë në fund. Kështu që duhet t’i qasemi në mënyrë tjetër kësaj ndeshjeje. Po ashtu po shpresoj që djemtë do të rikuperohen mjaftueshëm deri para ndeshjes, sepse kam thënë edhe pas ndeshjes me Gjilanin, se djemtë e kanë dhënë maksimumin pas një ritmi të lartë të ndeshjes, jo vetëm sipas meje, por edhe sipas analistëve dhe njohësve e dashamirëve të futbollit që e kanë cilësuar si të tillë. Pra, orët që i kemi në dispozicionin para fillimit të takimit, të rikuperohen të gjithë futbollistët dhe të paraqitemi, mos të them qindpërqindtë, por përafërsisht në atë nivel që u paraqitem me Gjilanin.

I kemi dy mungesa të theksuara, Januzi dhe Haliti. Janë mungesa mjaft të rëndësishme duke pasur parasysh se janë dy futbollistë me përvojë dhe që e njohin ekipin tonë mjaft mirë e duke e njohur edhe kampionatin. Mirëpo, e kam thënë edhe pas ndeshjes me Gjilanin, Prishtina nuk identifikohet vetëm me një individ, me një Januzi apo Haliti, sepse Prishtina i ka mbi 24 futbollistë dhe do të gjendet zgjidhja adekuate.

Po shpresoj që ndryshimet që do të bëhen në formacion do të japin maksimumin, sepse edhe para ndeshjes iu kam thënë që ata duhet të më vështirësojnë mua punën që mos të fle natën, apo të mendohem mirë se kë të angazhoj në ndeshje. Kështu që besoj edhe ndryshimet që do të bëjë të japin maksimumin ashtu siç e bënë edhe me Gjilanin”, ka thënë Dallku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat