“Çmendet” Pogba, kërkon pagë sa CR7 nga Manchester United

Futboll

“Çmendet” Pogba, kërkon pagë sa CR7 nga Manchester United

Më: 27 shtator 2019 Në ora: 10:20
Paul Pogba

Në verë, Manchester United ngriti barrikadat dhe Paul Pogba përfundimisht qëndroi në “Old Trafford”, megjithëse kundër dëshirës së tij. Marrëdhëniet midis palëve, megjithatë, mbeten larg atyre paqësore. Aq të acaruara janë raportet, sa në ndeshjen e Kupës së Ligës, kundër Rochdale, trajneri Solskjaer preferoi t’ia besonte shiritin e kapitenit të riut Tuanzebe dhe jo Pogba. Shenjë kjo, që tregon se deklaratat e verës së francezit për t’u larguar nuk janë harruar.

Sipas “Tuttosport”, megjithatë, Pogba, javët e fundit, me kërkesë të Manchester United, ka pranuar të ulet në tryezë me Mino Raiola për të diskutuar rinovimin e tij, por e ka mbajtur stekën mjaft lart. Në fakt, Pogba kërkon gati dyfishin e pagës aktuale, e cila është 18 milionë euro. Thënë ndryshe, kampioni i botës i ka të kërkesat financiare në rast rinovimi 34 milionë euro neto në sezon, deri në vitin 2024. Me pak fjalë, sa merr aktualisht Cristiano Ronaldo. Këto kërkesa, sipas “The Sun”, nuk ka gjasa të përmbushen.

Aktualisht, kontrata e Pogba me Manchester United skadon më 2021, por “Djajtë e Kuq” kanë një mundësi që t’ia rinovojnë automatikisht atë, me të njëjtat shifra, deri në vitin 2022. Një opsion që Pogba do të dëshironte ta shmangte. Nëse rinovimi me kushtet e tij nuk përmbushet, francezi do të largohet. Gjatë gjithë kohës, Juventusi dhe Real Madridi, dy klubet që tashmë kanë provuar me këmbëngulje ta marrin gjatë verës, mbeten vigjilentë dhe të gatshëm për të përfituar nga një “divorc” i mundshëm mes palëve. “Pogback” (te Juventusi), nga ana tjetër, mbetet ende ëndrra e shumëkujt në Torino.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat