De Biasi tregon rivalin e Juves, zbulon të ardhmen: Do të drejtoj shumë larg Italisë!

Futboll

De Biasi tregon rivalin e Juves, zbulon të ardhmen: Do të drejtoj shumë larg Italisë!

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 12:09
Gianni De Biasi

"Fjalët e Sarrit për Interin? Edhe në konferencën e mëparshme ai kishte thënë pak a shumë të njëjtat gjëra, për të ulur presionin ndaj skuadrës së tij. Juventusi jeton për të fituar Ligën e Kampionëve, por Interi do të jetë rivali i bardhezinjve për titull në Serie A, deri në fund". Kështu thotë Gianni De Biasi, ish-trajneri i kuqezinjve të Shqipërisë, teksa flet për “Radio Sportiva”.

Më tej, 62-vjeçari nga Sarmede vazhdon me analizën e tij: “Sarri nuk e ka ende në duar Juventusin, sipas automatizmave të tij. Besoj se do të jetë e vështirë të arrihet një lojë, si ajo që implementoi te Napoli. Ka shumë lojtarë me personalitet te Juve. Të menaxhosh Ronaldon nuk është e njëjta gjë si me Insigne”.

Përvoja e fundit e De Biasi ishte në Spanjë, në vitin 2017, në stolin e Alaves, skuadër e La Liga-s. Aventura e tij iberike ishte jetëshkurtër. Ish-trajneri i Shqipërisë punësohet më 22 shtator dhe shkarkohet më 27 nëntor, pas 2 fitoresh dhe 6 humbjesh. Pothuajse dy vite më vonë, trajneri venecian është gati të kthehet: “Nuk mund të zbuloj asgjë, por pres diçka jashtë vendit, jashtë Europës, shumë larg nga Italia". Ai nuk ka dashur të saktësojë nëse do të nënshkruajë me një klub apo kombëtare. De Biasi përgjigjet me ironi, kur u pyet nëse javët e fundit është kontaktuar nga ndonjë klub italian: "Jo, nuk jam aq i mirë, sa të stërvis në vendin tonë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat