Sarri “ngujohet” para Interit, 24 orë duke studiuar kundërshtarin

Futboll

Sarri “ngujohet” para Interit, 24 orë duke studiuar kundërshtarin

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 11:29
Maurizio Sarri

Maurizio Sarri është një trajner maniak ndaj detajeve. Ai ka qenë gjithmonë maksimalisht i vëmendshëm, deri në rraskapitje, kur është fjala për t’i përgatitur ndeshjet. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një derbi, si ai i së dielës në mbrëmje, Inter-Juventus, në “San Siro”. Kjo është mënyra e tij e punës, që e shoqëroi në të gjitha kategoritë ku trajnoi ndër vite, derisa arriti kulmin në Itali dhe Europë. Puna e Sarrit nuk mbaron me stërvitjet në fushën e blertë, as me seancat teorike me lojtarët, por vijon në dhomën e tij, me studimin e imtësishëm të kundërshtarit.

Aq shumë befasi kishte shkaktuar një deklaratë e tij, e bërë më 28 shtator, në lidhje me Interin, kundërshtarin e nesërm në “San Siro”: "Unë nuk kam parë akoma një ndeshje të zikaltërve. Sinqerisht, nuk kam ndonjë informacion për ta, akoma. Ne po luajmë shpesh dhe përqendrohemi te skuadrat, me të cilat ndeshemi. Sonte do të studioj Leverkusen. Unë lexova, gjithsesi, se zikaltrit po bëjnë shumë mirë. Nuk kam dyshuar për këtë, kampionati do të jetë shumë i vështirë dhe do të luftohet deri në fund”.

Një hendek në njohjen e kryesuesve të kampionatit, i mbushur sapo u paraqit mundësia e parë. Sipas “Tuttosport”, Sarri është mbyllur në dhomën e tij të punës dhe ka parë të gjitha (tetë) ndeshjet e luajtura deri më tani nga Interi. Gjithsej 1440 minuta, ose 24 orë, ka zgjatur ky proces i lodhshëm. Një “zhytje” e plotë te loja e kundërshtarit, diçka e dobishme për studimin e 3-5-2 të Antonio Conte, i cili po i sjell rezultate të shkëlqyera në Serie A, edhe pse më pak në Ligën e Kampionëve, ku vetëm një pikë u grumbullua në dy ndeshjet e para. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat