Challandes: Ndeshja ndaj Malit të Zi, më e rëndësishmja në histori të Kosovës

Futboll

Challandes: Ndeshja ndaj Malit të Zi, më e rëndësishmja në histori të Kosovës

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 10:59

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në futboll Bernard Challandes, ka mbajtur konferencën e parë për media në prag të miqësores me Gjibraltarin dhe ndeshjes kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi.

Challandes para disa ditësh ka bërë publike listën e të ftuarve për këto dy ndeshje, ku vërehet kthimi i të lënduarve  si Milot Rashica e Herolind Shala, ndërsa ai ka ftuar edhe dy lojtarët e Kosovës U21, mbrojtësin Arbenit Xhemajlin si dhe sulmuesin Lirim Kastrati.    

Challandes ndeshjen ndaj Gjibraltarit e cilësoi  si ndeshje përgatitore për ndeshjen ndaj Malit të Zi, të cilën e sheh si më të rëndësishme në histori të Kosovës.

" Pas Gjibraltarit kemi ndeshjen me Malin e Zi dhe nëse them që kjo ndeshje është ndeshja më e rëndësishme në histori të Kosovës ju do të mendoni se unë jam çmendur. Por është e vërtetë, ndeshja ndaj Malit të Zi është më e rëndësishmja në histori të Kosovës", tha  Challandes.

 Ai e cilësoi gjithashtu si të rrezikshme këtë ndeshje duke parë cilësinë e skuadrës kundërshtare.

 "Mali i Zi është një skuadër shumë e mirë dhe kush nuk mendon kështu ka probleme me vete. Kjo ndeshje me të vërtetë do të jetë shumë e rëndësishme. E kam parë ndeshjen e Malit të Zi ndaj Çekisë, që ka përfunduar 3:0 në të mirë të Çekisë por ky nuk është realiteti," tha Challandes.

Challandes  është pyetur edhe  për mos ftesën në këto ndeshje të Donis Avdijajt, i cili është duke kaluar një formë të mirë me klubin e tij. Përzgjedhësi CHallandes ka thënë se kështu ka vendosur për arsye të cilat i di vetëm ai.

"Avdijaj nuk është këtu për disa arsyeje dhe unë e kam marrë këtë vendim”, tha Challandes.

 Kosova do të luajë kundër Gjibraltarit të enjten, ndërsa katër ditë më vonë do të ndeshet Malin e Zi në stadiumin " Fadil Vokrri" në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat