Në kampin kuqezi mbizotëron një atmosferë pozitive

Futboll

Në kampin kuqezi mbizotëron një atmosferë pozitive

Më: 8 tetor 2019 Në ora: 10:51
Në kampin kuqezi mbizotëron një atmosferë pozitive

Kombëtarja e Shqipërisë ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës kualifikuese të “Euro 2020” ndaj Turqisë dhe Moldavisë. Pasditen e djeshme, kuqezinjtë zhvilluan seancën e parë përgatitore, por tekniku Reja nuk e kishte të gjithë grupin në dispozicion, pasi tetë lojtarë të cilët luajtën ditën e diel, nuk u stërvitën në fushë, por u relaksuan në pishinë. 

Italiani pati mundësi të kontrollonte formën e 18 lojtarëve që u vunë në dispozicion të tij, madje vuri në zbatim disa skema të përgatitura nga stafi teknik. Në kampin kuqezi mbizotëron një atmosferë pozitive, ku edhe pse e vlerësojnë maksimalisht kundërshtarin, besojnë te mrekullia.

Pasditja e djeshme korrespondoi me seancën e parë stërvitore për sfidën me Turqinë. Lojtarët u shfaqën rreth orës 15:45 në ambientet sportive të kompleksit “Tropikal”, ndërsa pas tyre mbërritën edhe stafi teknik me në krye trajnerin Edi Reja, shkruan panorama sport.

Italiani e thirri pranë vetes të gjithë grupin e lojtarëve, përfshi edhe stafin, ku mbajti edhe një fjalim të shkurtër. Pasi i pyeti lojtarët nëse ishin gati për të nisur nga puna, Reja urdhëroi ata që luajtën të dielën me skuadrat e tyre, të relaksoheshin në pishinë. Nuk munguan as masazhet relaksuese!

“Më bëhet qejfi që me shumicën nga ju ritakohem, ndërsa ata që janë thirrur për herë të parë, ju uroj suksese. Jemi këtu për dy ndeshje shumë të rëndësishme, që do të përcaktojnë të ardhmen tonë në këto kualifikuese. Duhet të punojmë fort dhe të japim maksimumin si në stërvitje ashtu edhe ditën e ndeshjes. Lojtarët që luajtën dje (të dielën) të dalin veç. Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit të nisë menjëherë nga nxehmja”, tha Reja.

Gjatë grumbullimeve, në ambientin kuqezi, gumëzhijnë të qeshurat e lojtarëve, pavarësisht se çfarë kundërshtari do të kenë përballë. Por, këtë radhë atmosfera dukej pak më serioze.

Jo se Reja kishte vendosur ndonjë rregull të ri, por sepse mungonin Mavraj dhe Xhaka, të cilët janë ata që i japin të tjera ngjyra grumbullimit. Mavraj dhe Xhaka janë dy lojtarë që jo vetëm flasin më shumë, por edhe bëjnë që shokët e ekipit të qeshin me batutat e tyre, që i shërbejnë harmonisë në grup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat