Sarri e vendosi nga halli në atë rol, Cuadrado fiton kontratë të re

Futboll

Sarri e vendosi nga halli në atë rol, Cuadrado fiton kontratë të re

Më: 9 tetor 2019 Në ora: 16:05
Sarri

Fitorja e derbit italian numër 236 e shtyu Juventusin në krye të renditjes së Serie A. Skuadra bardhezi arriti ta ndalojë “revanin” e Interit dhe ta vendosë veten në pararojë të kampionatit italian, sin ë tetë vitet e shkuara. Dëmtimet e De Sciglio dhe Danilo e detyruan trajnerin Sarri të studionte zgjidhje me vlerë në atë krah të mbrojtjes dhe në fund vendosi për Juan Cuadrado. Kolumbiani është rikthyer kështu në origjinën e vet, duke rizbuluar atë rol të mbrojtësit të djathtë, që e kishte bërë aq mirë në një moshë shumë të hershme, te Udinese dhe Lecce. 

Vitet e fundit, Cuadrado ka vepruar mbi të gjitha si sulmues i jashtëm. Tani, në versionin e mbrojtësit, ka qenë shumë i mirë, deri në atë pikë sa ka filluar të flitet për rinovimin e tij. Në fakt, sipas “Tuttosport”, kontrata midis kolumbianit dhe Juventusit do të skadojë më 30 qershor 2020, por kontaktet midis klubit dhe lojtarit janë vendosur për ta zgjatur bashkëpunimin. Besohet se Cuadrados do t’i afrohet zgjatja 1-vjeçare e kontratës menjëherë, mbase me një mundësi për sezonin vijues. 

Sidoqoftë, vetëm javët e ardhshme do të tregojnë se në cilin drejtim do të kanalizohen negociatat. Ndërkohë, De Sciglio dhe Danilo po përgatiten të bëjnë rikthimin e tyre në fushë, por ndjenja është se Sarri vështirë se do të heqë dorë nga “pronari" i ri i krahut të djathtë të mbrojtjes bardhezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat