Messi i kërcënon fronin historik Pele, gjuetia për "mbretin" ka filluar…

Futboll

Messi i kërcënon fronin historik Pele, gjuetia për "mbretin" ka filluar…

Më: 9 tetor 2019 Në ora: 19:40
Pele, Messi

Vetëm një mit mund të kapërcejë një mit tjetër. Dhe Leo Messi është në rrugën e duhur për të thyer një nga rekordet, që ka mbetur prej vitesh të tëra i pandryshuar në botën e futbollit. Ky rekord shihet tashmë si krejtësisht i arritshëm nga ylli i Barcelonës, Lionel Messit. Ne iu referohemi 643 golave, që Edson Arantes do Nascimiento, i njohur më mirë si "O Rei", ose Pelé, i cili luajti me Santos për 18 vite (1956-1974). Askush në historinë e futbollit nuk e kishte shënjestruar këtë arritj te Pele deri në daljen e Leo Messi në skenën e këtij sporti. I vetmi që e kishte shqetësuar fronin e Pelé ishte gjermani "Torpedo" Müller, i cili gjatë 15 viteve (1964-1979) luajti për Bayern Munich dhe shënoi 565 gola.

Pelé ka më shumë se 40 vite, që i sheh nga “Olimpi” sulmuesit më të mirë në histori, se si rrëzohen njëri pas tjetrit para rekordit të tij. Por, 15 vite më parë, një futbollist argjentinas u shfaq në skenë, me emrin Leo Messi. Ai e pushtoi gradualisht peisazhin e futbollit, për t’u bërë, për shumë njerëz, lojtari më i mirë në historinë e këtij sporti. Messi është sulmuesi, që i është afruar më shumë numrit të golave të shënuar nga Pelé. Tani për tani, kapiteni i Barçës ka realizuar 604 gola, pas “rrjetës” së të dielës, kundër Sevilla. Kjo do të thotë se atij i mungojnë 39 gola për të arritur rekordin e Pele, ose 40 gola për ta kapërcyer atë. 

Për çdo futbollist tjetër, ky hendek do të dukej i konsiderueshëm, por jemi përballë një ylli, që prej dhjetë sezonesh radhazi e tejkalon shifrën e 40 golave. Nëse konfirmohen këto statistika, Messi do të arrijë ta tejkalojë rekordin e Pele këtë sezon. Për të arritur këtu, Leo ka shënuar gjithsej 420 gola në La Liga, 112 gola në Ligën e Kampionëve, 51 gola në Kupën e Mbretit, 13 gola në Superkupën Spanjolle, 5 gola në Botërorin e Klubeve dhe 3 gola në Superkupën Europiane. Për t’i shënuar këto 604 gola, atij i janë dashur gjithsej 691 ndeshje. Argjentinasi ka shënuar mesatarisht një gol në çdo 1.14 ndeshje. Nëse i shtojmë golat e tij me kombëtaren Albiceleste, gjithsej 68 të tillë, atëherë shifra totale shkon në 672 gola.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat