Shpërthen Wenger, akuzon Bayern-in për manipulim

Futboll

Shpërthen Wenger, akuzon Bayern-in për manipulim

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 00:32
Arsene Wenger

Serge Gnabry po kalon një moment të  shkëlqyer forme me Bayern Munich dhe Gjermaninë. Kjo ecuri shumë e mirë e 24-vjeçarit ka bërë që të ngrihet pyetja: si e la Arsenal-i të largohet?

Tifozët e Topçinjve kanë fajësuar gjithmonë Wenger-in për largimin e sulmuesit, por ka qenë vetë francezi që ka zbuluar sesi kanë shkuar në të vërtetë gjërat. Ai, në fakt, nuk kishte ndërmend ta linte Gnabry të largohej, por dikush ka lëvizur në prapaskenë dhe ka prishur gjithçka. Dikush që në Gjermani ka më shumë rëndësi se të tjerët. 

Natyrisht, bëhet fjalë për Bayern Munich. Bavarezët e kanë blerë lojtarin nga Werder, skuadra ku e kishte shitur Arsenal, por Bayern kishte kohë që ishte vënë në lëvizje për talentin e Topçinjve, sipas Wenger.   

"Kemi kërkuar t'i rinovojmë kontratën për shumë kohë, por besoj se Bayern e ka manipuluar në prapaskenë, duke i thënë se ata do ta blinin pasi të shkonte te Werder. Ishte një djalosh me shumë talent, të cilit i mungonte vetëm pak besim në vetvete. Por kemi menduar gjithmonë se ishte një lojtar që do të shkonte larg", ka zbuluar Wenger për Bein Sport. 

Arsene ka folur edhe për punën psikologjike të bërë me Gnabry, kur ai u kthye tek Arsenal pas huazimit te West Bromwich, ku nuk ka arritur të gjejë hapësira. "U kthye shumë i demoralizuar nga ajo eksperiencë, nuk kishte më besim në  vete. Dhe unë kam kërkuar ta ndihmoj, sepse besoja tek ai".  

Bayern po e shijon tani, por nuk duhet të bëjë gabimin që të mendojë se ka në ekip një lojtar të formuar. Gnabry-së, sipas Wenger, i mungon vazhdimësia. 

"Lojtarët që dominojnë këtë sport janë ata që kanë vazhdimësi. Ky është rreziku. A mund të luajë në këto nivele për një kohë të gjatë?", ka thënë Arsene. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat