Prishtina: Trepça e ka vendin në krye të tabelës

Futboll

Prishtina: Trepça e ka vendin në krye të tabelës

Nga: Kemajl Goca Më: 11 tetor 2019 Në ora: 17:37
Amir Prishtina

Trepça nga Mitrovica ka shtuar apetitet për dy vendet e para në Ligën e Parë të Kosovës. Skuadra me renome renditet në vend të pestë me 14 pikë, ka pesë me pak se lideri Liria dhe tri se Istogu që renditet në pozitën e dytë pas 8 javëve të luajtura deri me tash.

Mitrovicasit po dëshmojnë lojëra të mira dhe që shpresojnë se do të vazhdojnë me këtë ritëm edhe në javët e ardhshme që të  ngjiten sa më lartë.

Është interesant se 6-7 skuadra tash për tash luftojnë për dy vendet e para, duke e marr parasysh afërsinë me pikë që kanë njëra me tjetrën, në të cilën Liria prinë me 19 pikë, e ndjekur nga Istogu 17, Malisheva 16, Besa 14, Trepça 14, Arbëria 14, Dardana 13 etj.  

Është një rivalitet i madh për dy vendet e para, me gjasë me kalimin e javëve edhe do të rritet apo ngushtohet edhe më shumë diferenca në pikë mes skuadrave që pretendojnë elitën! Futbollisti i Trepçës, Amir Prishtina, shpreson se me ekipin e tij do të arrijnë rezultate sa më të mira në vazhdim të kampionatit. Qendërmbrojtësi tha se të gjithë po angazhohen maksimalisht brenda kolektivit dhe është edhe një atmosferë shumë e mirë.

“Bota sot”: Trepça gradualisht po këndellet, si e sheh në vazhdim të kampionatit?
Amir Prishtina:
Është mirë nëse vazhdojmë me këtë ritëm dhe besoj që do të jemi lart në tabelë.

“Bota sot”: A mendoni se Trepça ka forcë për dy vendet e para dhe ku e sheh si përparësi?
Amir Prishtina
: Besoj që kemi ekip të komponuar mirë dhe një atmosferë të mirë brenda grupit dhe nëse vazhdojmë me shfaq lojë të mirë siç e kemi bërë këto pesë javët e fundit, besoj që e meritojmë me qenë lartë në tabelë.

“Bota sot”: Ka qenë një nismë jo e mirë e Trepçës, tani duket se jeni stabilizuar, a e ka rritur formën ekipi?
Amir Prishtina:
Po, është e vërtet që fillimi ka qenë jo i mirë por me kalimin e kohës, me punë kemi arrit mi përmirësuar gabimet që i kemi bërë në fillim të kampionatit, tani ekipi është komponuar mirë e dhash Zoti të ec kështu.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në garë për dy vendet e para?
Amir Prishtina
: Mendoj që gara do të jetë e ngushtë edhe pse ka kohë deri në fund. Trepçën, Istogun, Besën dhe Lirinë, këto skuadra i shoh që do të luftojnë deri në fund për dy vendet e para.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë Trepçës?
Amir Prishtina:
Besoj që një organizim pak më i mirë deri në fund dhe për sezonin e ardhshëm ndonjë përforcim ku e sheh të arsyeshme stafi dhe me përkrahjen që e kemi nga ‘Torcida’, besoj që nuk i duhet diçka më shumë deri ne fund të kampionatit.

“Bota sot”: A jeni në formën më të mirë dhe çka premtoni?
Amir Prishtina
: Tani jam duke luajtur në pozitën e qendërmbrojtësit, ku besoj që si ekip jemi në formë të mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat