Nikaj: Lufta do të jetë mes Lirisë, Besës, Istogut dhe Trepçës 

Futboll

Nikaj: Lufta do të jetë mes Lirisë, Besës, Istogut dhe Trepçës 

Nga: Kemajl Goca Më: 11 tetor 2019 Në ora: 18:28
Nikaj: Lufta do të jetë mes Lirisë, Besës, Istogut dhe Trepçës 

Samuel Nikaj gradualisht e ngriti Lirinë e Prizrenit në kreun e tabelës në Ligën e Parë të Kosovës. Nikaj nga Shkodra pothuajse është bërë specialist që çdo skuadër që e drejton ta rikthejë në elitën e futbollit, siç ndodhi më herët me Vushtrrinë dhe Flamurtarin e Prishtinës, ndërsa tani ka synim që Lirinë ta rikthejë në shoqërinë e më të mirëve aty ku e ka vendin!

Javë pas jave Liria arriti në kreun e tabelës, e cila për tetë javë ka mbledhur 19 pikë apo ka 6 fitore, 1 barazim e 1 humbje, me goldallim 13:4.  Prizrenasit po tregojnë lojëra të mira, të cilat po japin edhe rezultate, duke i bërë favoritë kryesor për rikthim në elitë.

Nikaj punon me intensitet të shtuar, që t’i mënjanojnë të gjitha mangësitë që shfaqen deri me tash. Synimi i tij është që të bëj një ekip sa më kompakte dhe të vazhdojnë me fitore në vazhdim të kësaj gare. Liga e parë pa dyshim se ka vëmendjen e shumë dashamirëve, kur kihet parasysh se janë pjesë të kësaj lige skuadrat me renome, si Liria, Vëllaznimi, Trepça, KEK-u, Besa e Ramiz Sadiku.  

Kryetrajneri Nikaj tha se këto rezultate janë të pritura. “Normalisht e pritur, pasi që Liria ekip me emër, plus në verë ka bërë reformë në ekip, janë larguar pothuajse krejt ekipi dhe riformatuar, çdo gjë nga e para. Prandaj që u deshtë një kohë relativisht e gjatë për të ardhë tek ai vend ku jemi dhe normalisht që kemi ende punë për ta mbajt këtë vend”, thotë Nikaj për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Liria ka 6 fitore, 1 barazim e 1 humbje, me goldallim 13:4, a mendoni se e keni mbrojtjen më të fortë në ligë dhe çka e dallon nga skuadrat tjera? “Mendoj që faza mbrojtëse në ekip është rritur nga ndeshja në ndeshje, ajo fillon nga presingu ultraofensiv që bëjnë sulmuesit nga zgjidhjet korrekte që bëjnë mesfushorët dhe mbrojtësit në tranzicionin negativ si dhe përqendrimi dhe lufta e fortë në standardet kundra.

Gjithsesi dhe individualitet në mbrojtje janë të mira, kemi lojtarë më shumë emër në repartin e mbrojtjes si dhe një portier me eksperiencë”, përgjigjet Nikaj. Më tutje kryetrajneri nga Shkodra, flet se çfarë e ka befasuar deri me tash: “Realisht është viti i 3-të në kategorinë e parë të Kosovës dhe nuk me befason më asgjë, e di sakte kë kemi kundërshtar dhe ku ka fusha të vështira me ambiente të nxehta, ku luhet fer etj. Prandaj jam i përgatitur dhe çdo ndeshje mundohem t’ja shpjegoj lojtarëve pasi një pjesë e tyre goxha e madhe nuk kanë luajtur në kategorinë e parë, pasi janë lojtarë të superiores”. Cilat skuadra i sheh në luftë të ashpër për dy vendet e para?

“Mendoj që lufta do të jetë mes Lirisë, Besës, Istogut dhe Trepçës, pa përjashtuar që rolin e Vitisë vjet që konkurroj deri në fund, ta marrim Malishevën ose Dardanën, kam edhe një mendim tjetër që ndoshta dikush se merr seriozisht, është Vëllaznimi që edhe pse i fundit në qoftë se në fund të stinorit i kalon 15 pikët, në stinorin tjetër me një riorganizim mund të kapë kuotën e 60 pikëve, kuotë pikësh që edhe mund të ngjisë në superiore, pasi vjet Dukagjini me 59 pikë u ngjit si vend i dytë”, përfundoi Nikaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat