Challandes: Besojmë ende në kualifikim

Futboll

Challandes: Besojmë ende në kualifikim

Më: 13 tetor 2019 Në ora: 18:35
Bernard Challandes

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka mbajtur sot konferencën e fundit për media para ndeshje së nesërme ndaj Malit të Zi.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes dhe lojtari Milot Rashica.

Challandes u shpreh se për momentin është koha të mendojmë vetëm për ndeshjen ndaj Malit të Zi, jo mundësit tjera për një kualifikim të mundshëm në Evropian.

Challandes: Nuk është koha të mendoj për Ligën e Kombeve

"Për momentin nuk mendoj për Ligën e Kombeve, jemi në kualifikime dhe mendoj që edhe këtu mund të arrijmë kualifikimin. Është më e rëndësishmja që tani të japim maksimumin nga vetja. Për mua asgjë nuk ka ndryshuar pas ndeshjes Çeki - Angli sepse ne në vizitën në Çeki nuk do të kishim mundësi ta humbnim atë ndeshje, ndoshta një barazim do të na hynte në punë por prapë se prapë siç e kam thënë në fillim të javës është vetëm ndeshja, ndeshja për tu fituar ndaj Malit të Zi ku duhet të japim maksimumin nga loja për të fituar këtë, pastaj të shohim edhe ndeshjet tjera e në fund të kualifikimeve nëse nuk na del ashtu siç kemi menduar atëherë është edhe mundësia tjetër”, tha fillimisht Challandes.

Më pas ai theksoi se në sfidën ndaj malazezve Kosova duhet të tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë, të luaj lojën e saj dhe në fund të dal fitimtare nga ndeshja e nesërme.

Challandes: Duhet të luajmë lojën tonë

"Unë e pëlqej presionin. Presioni nganjëherë është i mirë po ashtu kemi disa lojtarë të cilët pëlqejnë presionin. Mendoj që kështu është më mirë të luajmë. Luajmë në Prishtinë ku nuk kemi asnjë humbje, do të na ndihmojë fakti të qenit vendas. Nuk mund të them se nuk më brengos shumë renditja në tabelë ose rezultatet tjera por prapë e përsërisë ne duhet si ekip të japim maksimumin të bëjmë atë që dimë edhe më duhet të theksoj se nuk ka presion të keq në skuadër, ka vetëm presion të mirë, vetëm për të luajtur mirë për të treguar se kush jemi. Këtu ka eufori, është një ndjenjë e mirë e përgjithshme dhe kemi skuadër të mirë që mundohet të jap maksimumin nga vetja. Kemi mbështetjen nga të gjithë, ndërsa më vonë do të shohim. E përsërisë të japim gjithçka për skuadrën" u shpreh Challandes.

Milot Rashica para kësaj ndeshje u shpreh 100 për qind i gatshëm për ndeshjen ndaj Malit të Zi. Ai shtoi se nesër do të japin gjithçka nga vetja në mënyrë që të marrin 3 pikë shumë të nevojshme në rrugën për kualifikim në Euro 2020.

Rashica: Gati 100% për nesër

"Besoj dhe jam gati 100%. Në ndeshjen e fundit kam luajtur 90 minuta, ka qenë një ndeshje tejet e vështirë kundër Frankfurtit dhe një teren shumë i vështirë, për kwtw arsye dy-tri ditët e para jam stërvitur i vetëm. Kam pasur kohë të rikuperohem dhe shpresoj tw jap më të mirën nesër. Normal të gjithë e dimë se nuk ka me qenë një ndeshje tejet e lehtë. E kemi parë në ndeshjen kur kemi luajtur atje dhe në atë ndeshje kemi pasur shumë raste dhe është dashur të shënonim edhe një gol më shumë, por nuk kemi arritur. Normal këtu e kemi përkrahjen e të gjithë tifozëve dhe shpresoj nëse i përmbahemi planit dhe taktikave që i kemi, kemi gjasa me dal me tri pikë dhe kemi me jep maksimumin për me i arrit", tha Rashica.

Kosova renditet e treta më Grupin A me 8 pikë, 4 më pak se dy liderët e grupit, Çekisë dhe Anglisë.

Ndërsa pas fitores së Republikës Çeke ndaj Anglisë, Kosovës iu është vështirësuar edhe më shumë puna për një kualifikim të mundshëm në Evropianin 2020 dhe për t’u arritur një gjë të tillë Kosova duhet patjetër që nesër të marr 3 pikë të plota ndaj malazezëve.

Ndeshja mes Kosovës dhe Malit të Zi zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:45.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat