De Gea rrezikon ta humb derbin në Premier League

Futboll

De Gea rrezikon ta humb derbin në Premier League

Më: 16 tetor 2019 Në ora: 17:24
De Gea rrezikon ta humb derbin në Premier League

Portieri David de Gea është në dyshim për derbin e famshëm (me 20 tetor, 17.30) të Anglisë mes Manchester United dhe Liverpoolit, që është edhe ekipi që kryeson aktualisht në Premier League në futboll. Të martën në mbrëmje, në kryeqytetin e Suedisë në stadiumin “Friends Arena” të Solnës, ai la fushën pas një ore lojë, duke u zëvendësuar nga portieri më i shtrenjtë në rruzull, Kepa Arrizabalaga.

10 minuta pas golit të pësuar nga sulmuesi i Krasnodarit Marcus Berg, 28-vjeçari madrilen la vendin mes shtyllave dhe u shtrëngua për të dalë i shoqëruar nga fizioterapistët e përfaqësueses spanjolle. De Gea ndjeu një shqetësim në pjesën e prapme të këmbës që në pjesën e parë të ndeshjes, në një rivënie fundore dhe në interval Robert Moreno e këshilloi për të mos rrezikuar, megjithatë shtatlarti kryeqytetas i dha garanci në pushimin mes pjesëve trajnerit të “La Roja”-s se ishte në gjendje për të vazhduar normalisht takimin. Në fillimin e 45-minutëshit të dytë me sa duket u përsërit i njëjti problem, kur De Gea goditi një top të kthyer nga njëri prej futbollistëve të tjerë iberikë, moment pas të cilit portieri i Spanjës u pa të ulej në zonën e vogël të 5-metërshit.  

Mungesa e tij në derbin e Anglisë do të ishte vërtet një humbje e madhe për ekipin e drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer. Në mesin e muajit të kaluar portieri spanjoll rinovoi kontratën deri në 2023-in me drejtuesit e klubit, me një opsion madje për të shtyrë qëndrimin e tij edhe me një tjetër vit, sidoqoftë 28-vjeçari është i domosdoshëm për rekordmenët e Premiershipit, për më tepër siç dihet me trajnerin nordik në timon ekipi po vuan jashtëzakonisht shumë për të marrë rezultat.

Për fatin e mirë të kombëtares spanjolle barazoi shifrat në 1:1 sulmuesi brazilian i Valencias Rodrigo, që devijoi nga shumë pranë portës pikërisht në kohën shtesë të takimit, dhe për rrjedhojë “furia e kuqe” u bë përfaqësuesja e gjashtë që siguron pjesëmarrjen për në fazën finale të kampionatit të ardhshëm evropian, gjithsesi situata e portierit të United është krejtësisht e paqartë dhe fjalët e trajnerit Robert Moreno në fund të ndeshjes nuk lënë shumë shpresa për “Djajtë e Kuq”. Manchester United dhe Liverpool-i janë dy klubet më të suksesshëm në historinë e kampionatit anglez.

“Red devils” paraqiten në “Teatrin e Ëndrrave” me vetëm 2 fitore në 8 ndeshjet e para, ndërsa formacioni i gjermanit Jurgen Klopp në krahun tjetër kërkon fitoren e 18 radhazi në kampionat, rezultat që do të barazonte rekordin e vendosur nga City i Guardiolës, por gjithashtu edhe rekordin e Chelsea-t të Mourinho-s, që në fillimin e sezonit 2005-06 e nisi kampionatin me plot 9 fitore rresht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat