Llapi nga Podujeva do t’i luajë dy ndeshje pa shikues në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Ky ndëshkim vjen nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe sipas tyre, për shkak se llapjanët bënë lëshime në organizim të ndeshjes me Ferizajn. Llapjanët nesër (në orën 14.00) do ta presin Trepçën ’89 nga Mitrovica në kuadër të javës së 10-të të elitës së futbollit të Kosovës.
Tifozët “Legjendat” dhe qytetarët llapjanët nuk kanë mundësi ta shohin sfidën për shkak të dënimit me dy ndeshje pa prezencën e shikuesve.
Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina, tha se janë të përgatitur për sfidën me Trepçën ’89. “Jemi shumë të bashkuar dhe jemi ekip që kemi shfaq ndeshje të mira dhe jemi shumë të motivuar për këtë ndeshje që të jemi sa më lart në tabelë”, tha Batatina për gazetën kombëtare “Bota sot”. Sa do të ndikojë që Llapi dy sfida i luan pa shikues në fushe të veten dhe a mund ta humbet paksa edhe motivi tek lojtarët?
“Jo, veç sa do të rritet motivi tek unë dhe lojtarët sepse nuk e kemi merituar si klub si qytet dhe si skuadër por tash po dihet haptazi hakmarrja ndaj Llapit.
Megjithatë edhe kjo do të kaloj dhe ne do t’ju tregojmë se Superligën e Kosovës Llapi e ka bërë rivale të fortë por ne jemi qyteti i futbollit dhe ne do të luftojmë edhe më shumë për qytetin dhe ‘Legjendat’ edhe pse si kemi ne tribuna ata jonë me zemër dhe shpirt me ne.
Por dua t’ju them se shpejti do të vijë koha për rifreskimin e futbollit të Kosovës”, përgjigjet Batatina.
Llapi aktualisht është në vend të katërt me 17 pikë, tri me pak se lideri Ballkani dhe Trepça '89 është në pozitën e shtatë me 10 sosh.