Hyseni: Është ëndërr e gjithë qytetit me rrethinë që Llapi të fitojë titullin e kampionit

Futboll

Hyseni: Është ëndërr e gjithë qytetit me rrethinë që Llapi të fitojë titullin e kampionit

Nga: Kemajl Goca Më: 20 tetor 2019 Në ora: 19:39
Muhamet Hyseni

Kosova është vatër e talenteve të futbollit dhe për çdo vit dalin emra të rinj, që pritet të janë e ardhmja e vendit tonë. Në elitën e futbollit të Kosovës kemi një numër mjaft të madh të djelmoshave të rinj që po luajnë me sukses dhe janë edhe pothuajse edhe vendimtar në ekipet ku paraqiten.

Image

Ndër ta që po e jep kontributin e madh dhe po shquhet është edhe sulmuesi i ri Muhamet Hyseni, i cili luan për skuadrën e Llapit nga Podujeva, që pretendon titullin e kampionit të Kosovës.  Hyseni ka 18 vjet, është jashtëzakonisht i shpejt dhe një futbollist që pritet të arrijë shumë.

Djaloshi i talentuar është i ngazëllyer që shënoi golin e parë të tij në edicionin e sivjetshëm dhe për fitoren e thellë të Llapit me rezultat 4:1 kundër Trepçës ’89. 18-vjeçari është i kënaqur me kushtet, me trajtimin në klub dhe mirënjohës edhe kryetrajnerit Tahir Batatina, i cili ia ka besuar rolin si sulmues. Hyseni zotohet se do të punojë sa më shumë që të arrijë në formën më të mirë, që të shënojë sa më shumë gola dhe që me Llapin të arrijnë suksese, të sjellin trofe në qytetin që jeton me lojën me të popullarizuar në botë, futbollin.

Hyseni tha se është një kolektiv i shkëlqyer dhe atmosfera brenda skuadrës e motivon gjithnjë e më shumë për punë edhe më të madhe dhe të luftojnë në çdo cep të fushës për rezultate edhe më të mira, që të në fund të stolisen me titullin e kampionit.  Hyseni tregon se kujt ia dedikon golin, si u dashurua në lojën e futbollit, kush e mbështet më shumë, me cilin trajner filloi hapat e parë dhe cilat skuadra i sheh në garë të fortë për titullin e kampionit së bashku me Llapin.

“Bota sot”: Llapi po kalon rezultate shumë të mira, si po ndiheni ne ketë mjedis?
Muhamet Hyseni:
Mirë shumë, jam shumë i kënaqur që ju kthyem fitoreve si skuadër dhe jam i lumtur për golin tim të parë në këtë sezon. I falënderoj lojtarët për mbështetje po ashtu edhe trajnerin Tahir Batatina për mundësin që më ka dhënë. Shpresë se tash e tutje do të kem me shumë hapësirë të Llapi sa herë trajneri të më jep mundësin unë kam me dhënë maksimumin.

“Bota sot”: Si iu lindi dashuria për futboll, cili ishte sebep?
Muhamet Hyseni:
Futbollin e kam dashur që nga fëmijëri dhe sebep që sot unë luaj futboll është vëllai im Alban Hyseni. Po ashtu kam përkrahjen e babait dhe të gjithë familjes.

“Bota sot”: Kur keni filluar hapat e parë e me cilin trajner?
Muhamet Hyseni:
Në moshën 9-vjeçare me trajner Besim Ajvazin të cilin e përshëndes shumë dhe i jam mirënjohës. Ai ka qenë trajneri i parë që më ka dhënë mundësi për me luajt. Pesë vite kam luajt në klubin Besiana te Besim Ajvazi, pastaj kam vazhduar te shkolla e futbollit “Kurda” te trajneri Mehmet Kurda të cilit i jam mirënjohës. Për katër vite kam luajtur te shkolla “Kurda”. 

Image

“Bota sot”: Shënuat golin e parë, kujt ia dedikoni?
Muhamet Hyseni:
Golin ja dedikoj babait i cili me ka mbështetur çdo herë, familjes dhe gjithë tifozëve të Llapit.

“Bota sot”: A mendoni se Llapi do të jetë ndër kandidatët kryesor për titull?
Muhamet Hyseni:
Pa dyshim se Llapi ka qenë pretendent për titull tash sa kampionate dhe pa dyshim që këtë vit është kandidati kryesor për titull.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në garë për titull?
Muhamet Hyseni
: Gjilanin, Ballkani dhe natyrisht pas Llapit.

“Bota sot”: A keni emocione që luani në ekipin e parë në një konkurrencë të fortë?
Muhamet Hyseni:
Normal që kam emocione, por nuk e kam problem që të adaptohem në ekipin e parë edhe pse konkurrenca është shumë e fortë.

“Bota sot”: Çka e veçon Llapin nga të tjerët në fushë?
Muhamet Hyseni:
Loja ofensive që e bën padyshim dhe lojtarët me më përvojë në Kosovë që janë te Llapi.

“Bota sot”: Çfarë ju motivon më shumë në fushë?
Muhamet Hyseni:
Dëshira për fitore dhe ëndrrën e kahmotshme e klubit dhe gjithë qytetit me rrethinë të Llapit që Llapi të fitoj titullin e kampionit.

“Bota sot”: A mendoni se do të jetë nga kampionatet më të forta?
Muhamet Hyseni
: Është një kampionat shumë i fortë sepse të gjitha skuadrat janë përforcuar me lojtar vendorë po ashtu edhe jashtë vendit.

“Bota sot”: Muhamet, krahas me futboll, me çfarë merresh tjetër?
Muhamet Hyseni:
Përveç futbollit tash kam përfunduar shkollën e mesme, jam regjistruar në fakultetin e edukatës fizike.

“Bota sot”: Cilin futbollist e ke idhull në botë dhe skuadër dhe kë e imiton më shumë?
Muhamet Hyseni:
Idhull në futboll e kam Cristiano Ronaldon dhe Real Madridin, po mundohem mos ta emitoj asnjë lojtar, dua të jem vetvetja.

“Bota sot”: Ky gol që shënuat ju motivon edhe më shumë?
Muhamet Hyseni
: Po, natyrisht se ky gol me motivon që të punoj fort, të jap maksimumin në stërvitje dhe në çdo ndeshje aty ku me jepet hapësira të luaj.

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?
Muhamet Hyseni:
Synimet e mija janë që të kemi sa me shumë paraqitje të Llapi, të fitoj përvojën e duhur që një ditë të mund të luaj të ndonjë skuadër në Evropë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat