Lojtari që e mposhti depresionin: Futbolli është madhështor ama kur loja mbaron, je i vetmuar - Bota Sot
Lojtari që e mposhti depresionin: Futbolli është madhështor ama kur loja mbaron, je i vetmuar

Futboll

Lojtari që e mposhti depresionin: Futbolli është madhështor ama kur loja mbaron, je i vetmuar

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 12:39
Christian Nade

Shënimi i golit i cili ia siguroi Sheffield Unitedit një fitore të paharrueshme kundër Arsenalit në Premierligë ka qenë pika kulmore e karrierës së Christian Nade.

Në nivel personal, megjithatë, ish-sulmuesi i Sheffield është përballur me kohë të vështira. Ai ka zbuluar për Sky Sports se dy herë ka qenë afër të bëjë vetëvrasje në një betejë të gjatë me depresionin.

Tani, ai po i ndihmon lojtarët e tjerë që kanë probleme me shëndetin mendor.

“Zakonisht, ai që vuan nga kjo sëmundje është personi më i lumtur në botë para tjerëve. Unë isha i pari që qeshja dhe bëja shaka në zhveshtore, duke u përpjekur t’i bëj të gjithë të lumtur. Ama brenda meje, qaja”, tha Nade për Sky Sports.

Hera e parë kur Nade kishte tentuar vetëvrasjen ishte dhjetori i vitit 2014. Si lojtar i Raith Rovers në atë kohë, kujton ai, e kishte lënë telefonin në plazhin pranë shtëpisë së vet dhe ishte futur në ujë.

“I dërgova mesazh familjes për t’u treguar se nuk mund ta përballoja atë më, por nuk mund t’u tregoja përse sepse as vetë s’e dija. E lashë telefonin në plazh dhe u futa në ujë. U zhyta deri në fyt dhe qëndrova aty për nuk e di sa. Pastaj e dëgjova dike duke më thirrur, e ktheva kokën dhe rashë në panik. Gjëja e parë që ndjeva ishte turpërim i vetes për atë që e kisha bërë dhe për atë që doja ta bëja”, zbuloi Nade.

Personi që ia kishte thirrur emrin nga bregu, kishte qënë një mik i dërguar nga familja e tij për ta kërkuar. Nade kishte vendosur përfundimisht të rrëfehej të njëri prej trajnerëve në Raith Rovers, i cili e kishte sugjeruar të bisedonte me priftin.

“Përse nuk jam hapur më herët? Përse nuk kam folur me askënd për problemin tim më herët? Si djalë i madh nuk dëshiron ta pranosh se vuan nga depresioni sepse mendon se të gjithë do të të thonë: ‘Eja tani, kjo s’është asgjë. Asgjë nuk mund të të lëndojë ty’. Ama është e kundërta”, shtoi ai.

“Futbolli është madhështor. Por kur ndeshja përfundon, je i vetëm. Ngazëllimi dhe adrenalina zhduken. Rikthehesh në dhomë, banesë apo shtëpi. Dhe këtu është rreziku. Nëse flet për të, druhesh se trajneri mund të vendosë që ti të mos luash ndeshjen e ardhshme sepse nuk je i gatshëm. Dhe e dini se gjëja e vetme që të mbanë gjallë nganjëherë është të qenet në fushë duke luajtur”, shpjegoi ai.

Në moshën 35-vjeçare, Nade vazhdon të luajë futboll, dhe tani përfaqëson Annan Athletic në League Two – nivelin e katërt të futbollit në Skoci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat