Shkëmbi: Ishte një ditë e keqe

Futboll

Shkëmbi: Ishte një ditë e keqe

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 15:29

Teuta shkoi në Laç si kryesuese, por u mposht bindshëm me rezultatin 3-0 dhe dorëzoi kreun, ndërsa në përfundimit të takimit, trajneri Blendi Shkëmbi pranoi paraqitjen e dobët të të tijve, por premtoi ndryshimin e situatës që në ndeshjen e radhës.

Çfarë ndodhi sot?
Kundërshtari luftoi më shumë dhe e kishte përgatitur ndeshjen më mirë. Pavarësisht kësaj, kam besim te ekipi. Lojtarët bënë gabime individuale, por përgjegjësia është e imja dhe stafit. Duhet ta përgatisnim më mirë ndeshjen, edhe psikologjikisht.

Diferencën e bëri Nwabueze, një lloj sulmuesi që ju vazhdoni ta kërkoni në ekip?
E vërtetë, ai bëri diferencën. Kishim punuar për ta ndalur atë, por për gabimet tona, edhe meritë të tij, nuk arritëm. Fati i mirë është që kampionati nuk mbaron këtu. Pas 4 ditësh kemi ndeshje tjetër, që do e përgatisim më mirë në mënyrën psikologjike.

Teuta e ka tabu fushën e Laçit…
Unë mbaj mend ndeshjen e sezonit të kaluar, kur isha vetë trajner dhe ndodhi kështu. Bëmë një paraqitje të shëmtuar. Mora përgjegjësitë, pasi nuk bëmë mirë nga ana psikologjike për të përgatitur ndeshjen në fushën e Laçit.

Mendoni se Teutës i duhen lojtarë me personalitet që të dalin nga situatat e vështira gjatë një ndeshje…
E drejtë, në situata të vështira, janë liderët që e ndihmojnë skuadrën. I kemi këta lojtarë dhe shpresoj që të jetë vetëm një ditë e keqe.

Më mirë kur humb në një mënyrë të tillë, që lojtarët të jenë me këmbë në tokë…
Ne jemi me këmbë në tokë të gjithë, stafi dhe lojtarët. Ndoshta ndryshe nga të tjerë, e di që në futboll bëhen gabime. Reagimi është ai që bën ndryshimin. Sot nuk arritëm të reagojmë, kjo më shqetëson. Nuk shqetësohem për pjesën tjetër, sepse e di që nga ndeshje tjetër do reagojmë ndryshe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat