Super gola të sulmit, Inter rikthehet në krye

Futboll

Super gola të sulmit, Inter rikthehet në krye

Më: 29 tetor 2019 Në ora: 23:04
Pamje nga ndeshja

Inter ka fituar me rezultatin 1-2 transfertën e vështirë ndaj Brescia, falë dy golave të realizuar nga Lautaro Martinez dhe Romelu Lukaku, ndonëse autogoli i Skriniar në të 76’ rrezikoi të rihapë ndeshjen.

Zikaltërit kaluan në epërsi në të 23’ falë një gjuajtje të fuqishme të argjentinasit Martinez, e ndihmuar edhe nga një devijim i kundërshtarit. Të pasuksesshme rezultuan tentativat e Brescia për të barazuar shifrat, me Tonali e Balotelli të ndalur nga Handanovic.

Lukaku ka realizuar një perlë në të 63’ kur pas një topi të servirur nga Gagliardini, ka ndërmarrë një inkursion nga e djathta për të depërtuar në qendër e nisur një silurë para hyrjes në zonë. Një top që u ndal vetëm nga rrjeta, 0-2, në favor të Inter.

Vetëm 30 sekonda pas futjes në fushë të futbollistit të përfaqësueses së Shqipërisë, Emanuele Ndoj që aktivizohet me Brescia, zikaltërit janë ndëshkuar me një autogol të Skriniar që rrezikoi të rihapë ndeshjen, por shifrat nuk ndryshuan deri në vërshëllimën e fundit, 1-2.

Inter rikthehet në krye të klasifikimit, edhe pse vetëm provizorisht, pasi ndodhet në kuotën e 25 pikëve, dy më shumë se Juventus, por me bardhezinjtë që ende nuk kanë zhvilluar ndeshjen e 10-të të kampionatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat