Që kur u largua nga Italia për t'u transferuar në Kinë, te Shanghai Shenhua në vitin 2016, Fredy Guarin nuk e ka harruar kurrë përvojën e tij zikaltër. Interi mbetet në zemrën e tij, edhe në anën tjetër të botës. Madje, idenë e një rikthimi e ka menduar vazhdimisht. Kolumbiani, që tani luan te Vasco da Gama në Brazil, dha një intervistë për “FcInterNews”, ku zbuloi dëshirën për ta veshur përsëri fanellën zikaltër, një mundësi që nuk u materializua kurrë në këto vite:
"Që kur u largova në Kinë, gjithmonë kam ëndërruar të kthehesha tek Interi. Kam menduar gjithmonë për këtë. Kur cikli im përfundoi në vendin aziatik, u përpoqa të lidhesha, të gjeja kontakte për kthimin tim. Unë prita një ftesë, një telefonatë, diçka që do të më lejonte të vishesha përsëri zikaltër. Doja ta mbyllja ciklin aty, por asgjë nga këto nuk mbërriti. Dua ta përsëris se Interi ishte ëndrra ime. Sot po flasim për një ëndërr të realizuar, një klub që është në zemrën time. I falënderoj të gjithë ata që e mundësuan karrierën time tek Interi. Dashuria e njerëzve zikaltër do të mbetet për tërë jetën time, si dhe lidhja me ta".
Një nga trajnerët e Guarin në Milano ishte Walter Mazzarri, me të cilin u përlas për shkak të karakterit dhe kokëfortësisë së tij, veti shumë të ngjashme me ato të trajnerit aktual të Torinos: "Stramaccioni ishte trajneri im i parë tek Interi. Një trajner me dëshirë të madhe për të triumfuar, që solli stil të ri pune, e bashkoi grupin. Pastaj erdhi Mazzarri. Menjëherë mendova për karakterin e tij të fortë dhe intensitetin e punës. Kemi pasur mosmarrëveshjet tona, jemi përplasur disa herë, por po flasim për një njeri me karakter të ashpër, një trajner të shkëlqyer. Madje, termi i duhur do të ishte mik për të, e mbaj mend si të tillë. Duhet të them se përmes mësimeve të tij jam rritur shumë".
Me Conte trajner, a mund të aspirojë Interi diçka të rëndësishme përsëri, pas një kohe të gjatë? Guarin përgjigjet: "Pa dyshim. Pas ndryshimeve të këtyre viteve, falë të cilave është rindërtuar gjithçka, nga pika më e ulët tek më e larta, Interi duket në rrugën e duhur. Tani ka një trajner, që është shumë konkurrues, në kuptimin pozitiv të fjalës. Përveç trajnerit, kanë mbërritur aty disa lojtarë të mirë. Ky është momenti i Interit, që të fillojë të fitojë përsëri. Nuk do të jetë e lehtë, por unë mendoj se ka një ekip që mund ta fitojë kampionatin".