Shosholli ndjen keqardhje për gjendjen e Vëllaznimit, por kujton kohën kur e mposhtën OFK Beogradin

Futboll

Shosholli ndjen keqardhje për gjendjen e Vëllaznimit, por kujton kohën kur e mposhtën OFK Beogradin

Nga: Kemajl Goca Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 17:20
Ajet Shosholli

Vëllaznimi nga Gjakova as në tokë dhe as në qiell, në një situatë të rëndë financiare dhe si pasojë e kësaj janë fundosur edhe në renditjen e Ligës së Parë të Kosovës, me vetëm 7 pikë të fituara nga 13 ndeshje të luajtura apo pa shijuar ende fitore, me 7 barazime e me 6 humbje!

Image

Trajneri i mirënjohur Ajet Shosholli ndjen keqardhjen për ish klubin e tij, Vëllaznimin, me të cilin kolektiv kaloi periudhën jashtëzakonisht si në vitet e 80-ta dhe si në ato të pasluftës. Shosholli në shenjë respekti për klubin dhe për ta ndihmuar simbolikisht, ka blerë 50 bileta te Vëllaznimit.

Shoshollit me Vëllaznimin kishte fituar Kupën e Kosovës në vitin 1987, kur e kishte mundur me 3:2 në finale Trepçën. Po ashtu sipas kronistit Halil Vula i cili në detaje i ka statistikat e Vëllaznimit dhe e ka vlerësuar Shoshollin trajnerin më të suksesshëm në histori të këtij kolektivit me renome.

“Bota sot”: Vëllaznimi është në krizë të rëndë, si e sheh gjendjen si ish kryetrajner i këtij kolektivit?
Ajet Shosholli
: Me thënë të drejtë, mendoj jo vetëm unë, e ndjej veten me keqardhje, që Vëllaznimi ka ardhur në këtë situatë, kur dihet se çfarë bagazhi ka ekipi. Gjithmonë futbolli i Kosovës është identifikuar në ish –Jugosllavi me Vëllaznimin, Trepçën, Prishtinën dhe Lirinë, si katërshja e parë.

Personalisht shpresoj që Gjakova do ta gjejë mënyrën ta tejkalojë këtë krizë me ekipin e Vëllaznimit dhe ta zgjedhë çështjen financiare, të vijnë në atë situatë ku edhe e meriton vendin në elitën e futbollit, natyrisht për sivjet është e pamundur, por për një kohë pak më të shkurtër të arrijë në Superligë. Përndryshe, personalisht me lidhin kujtime shumë të mira me Vëllaznimin, me qytetin e Gjakovës, afër gjashtë viteve në ekipin e Vëllaznimit si në ligën e dytë ish jugosllave dhe pas luftës. Dëshira ime personale është që sa më shpejt Vëllaznimi ta tejkalojë këtë krizë. 

“Bota sot”: Vëllaznimin e ndihmuat edhe simbolikisht, me blerjen e 50 biletave.
Ajet Shosholli:
Pasi është shpall kjo gjendje, në mënyrë simbolike i kam blerë 50 bileta, një ndihmesë po ashtu simbolike le të jetë dhe që jam me Vëllaznimin dhe dëshiroj që sa më shpejt ta tejkalojë këtë krizë. 

“Bota sot”: A duhet që sponsorët dhe komuna ta ndihmojnë klubin?

Ajet Shosholli: Sigurisht, besoj që sponsorët dhe së bashku me komunën, ishte dashur të bëjnë një zgjidhje apo më të mirën për Vëllaznimin, që të zgjidhet çështja financiare dhe klubi sa më shpejt të bëhet pjesë e Superligës.

“Bota sot”: Me Vëllaznimin keni shumë kujtime të mira, periudhën dhe rezultatet më të mira në edicionin 1983-1984, kur u renditet në pozitën e tetë në Ligën e Dytë Federative të ish Jugosllavisë, grupi i Lindjes?
Ajet Shosholli:
Më kujtohet viti 1983, ndeshja derbi mes Vëllaznimit dhe OFK Beogradit, pikërisht me 6 gusht. OFK Beogradi sa po kishte rënë nga liga e pare federative dhe kjo ndeshje është luajtur para një numrit rekord shikuesesh, stadiumi ishte përplot i mbushur me shikues, e kemi mundur me 1:0 ekipin beogradas me golin e Xhelal Xhihës, që e shënoi në minutën e 76-të. Ka qenë një debutim i imi, një start shumë i mirë, për atëkohë befasi, që ta mundin një ekip siç ishte OFK Beogradi, që sa po kishte rënë nga liga e parë federative, me lojtarë si  Vuqiqeviç, Bujiq, Serpak etj, edhe këta lojtarë kishin luajtur edhe në ekipe të mëdha si në Partizanin e Beogradit, që kishte një trajner si Spasojeviqi, ndryshe malazez,  ndër trajnerët më të mirë në ish Jugosllavi. Ndjej një lloj nostalgjie dhe krenarie që kam qenë për ato vite pjesë e Vëllaznimit.

“Bota sot”: Nga katërshja e madhe vetëm Prishtina në elitë, Vëllaznimi, Liria dhe Trepça janë në ligën e parë. A është një humbje dhe dëm i madh pa këto skuadra elita?
Ajet Shosholli: Sigurisht se është humbje e madhe dhe dëm i madh, për të cilat ekipet që i ceke më lartë, si Trepça, Liria, Vëllaznimi, fatkeqësisht për momentin nuk janë pjesë e elitës.

Besoj dhe shpresoj, dua të besoj, që të gjitha këto ekipe së shpejti ta zgjidhen edhe çështjen financiare, pasi që edhe ligji për sponsorizim është aprovuar, që së paku është dashur të jetë ndihmesë për këto ekipe dhe shpresoj që së shpejti t’i shohim që të tria në elitën e futbollit kosovar. Sepse atëherë mendoj, pa i nënçmuar ekipet tjera, elita e futbollit kishte me pasur at peshën dhe hijeshinë e futbollit me derbi të ndërsjellë mes këtyre ekipeve, duke përfshirë normalisht edhe Prishtinën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat