Wenger mohon zërat se Bayern e refuzoi

Futboll

Wenger mohon zërat se Bayern e refuzoi

Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 23:55
Wenger

Arsene Wenger ka përgënjeshtuar zërat që thonë se Bayern Munich e ka refuzuar atë.

Pas shkarkimit të Niko Kovac, ishte emri i Arsene Wenger që shihej si një nga të mundshmit për ta drejtuar stolin e Bayern Munich.

Ditë më parë raportohej se trajneri francez i është ofruar skuadrës bavareze, por këta të fundit kanë refuzuar shërbimet e tij.

Një gjë e tillë duket të mos jetë aspak e vërtetë, të paktën sipas fjalëve të ish trajnerit të Arsenal.

“Është mirë që më lini ta shpjegoj, sepse tregimi ishte surprizues” ka thënë Wenger për ‘ beIN Sports’.

“Fillimisht, nuk kam ndonjë agjent. Jam i vetmi i përfshirë në këtë histori. Askush nuk mund të flas. Së dyti, unë kam njohur Beckenbauer, Rummenigge dhe Hoeness për 40 vite. Ne gjithmonë themi të vërtetën mes nesh, kur është e nevojshme” ka shtuar francezi.

“Çfarë ndodhi? Emri im doli nga askund, pa pasur ndonjë gjë të bëjë me këtë. Të mërkurën mbrëma, Rummenigge më telefonoi. Nuk mund të lajmërohesha në atë moment, dhe me mirësjellje e telefonova përsëri. Ai ishte në veturë duke shkuar në ndeshjen kundër Olympiacos.”

“Kemi biseduar maksimum pesë minuta dhe më tha se skuadra do të drejtohet nga Flick në dy ndeshjet e ardhshme, pasi ata luajnë me Borussia Dortmund.”

“Ai më pyeti nëse do të isha i interesuar, sepse ata po kërkojnë trajner. I thash se nuk kam menduar për këtë. Duhet kohë për të menduar. Ne vendosëm bashkë që të bisedojmë javën tjetër, pasi jam në Dubai deri të dielën mbrëma. Kjo është historia e vërtetë” ka thënë ndër të tjerash Wenger.

Arsene Wenger është i papunë që nga koha kur u largua nga Arsenal. Mbetet të shihet nëse francezi do të arrijë marrëveshje me Bayern Munich.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat