Klubi i Serie A del hapur, ftesë publike Ibrahimovic

Futboll

Klubi i Serie A del hapur, ftesë publike Ibrahimovic

Më: 9 nëntor 2019 Në ora: 09:26
Zlatan Ibrahimoviçi

E ardhmja e Zlatan Ibrahimoviçit është ndër temat më të nxehta, sa i përket merkatos së dimrit. Nga lajmi i pavërtetë i së enjtes, që e lidhte suedezin me Milanin te Bologna, e konfirmuar nga drejtori sportiv i kësaj të fundit, Riccardo Bigon: "Ibra dha një intervistë disa kohë më parë, ku foli për të ardhmen e tij. Nëse i duhet të bëjë një zgjedhje dhe do të na preferojë ne, ekipin dhe trajnerin që vlerëson shumë, do të ishim shumë të lumtur. Ne po flasim për një zgjedhje që ai do ta marrë në kohën e duhur, kur e gjykon të përshtatshme”.

Ibrahimovic te Bologna - Nuk është më fantazi merkatoje, as ëndërr në ajër, por një mundësi reale, që në ditët e fundit po merr konturet e një negociate të vërtetë. Pronari i klubit italian të Serie A, Joey Saputo, është i bindur për mirësinë e marrëveshjes. Suedezi beson se përvoja e tij jashtë kontinentit përfundoi në LA Galaxy. Ideja është që të kthehet si protagonist në Europë, për ta mbyllur aty karrierën e tij të bujshme, në mënyrën më të mirë të mundshme. 

Bologna është në mesin e klubeve të interesuara për të. Sipas “Il Corriere dello Sport”, dy javë më parë, Walter Sabatini filloi diskutimet me Mino Raiola, menaxherin e njohur të sulmuesit 38-vjeçar. Ky i fundit, për një vit e gjysmë kontratë i kërkoi klubit kuqeblu 8 milionë euro. Shifër e lartë, por jo e pamundur të përmbushet, duke marrë parasysh që disa sponsorë mund të hynin në lojë dhe do t’i jepnin një dorë të madhe marrëveshjes.

Presidenti Saputo e di se çfarë ndikimi, në çdo drejtim, do të kishte ardhja e një kampioni të kalibrit të Ibrahimovic. Marrëveshja me të do t'i jepte klubit një nxitje të mirë në aspektin ekonomik dhe do ta lejonte të hynte në tregje, që deri tani janë eksploruar pak, siç janë ato aziatike.

Ardhja e ish-yllit të Juventusit, Milanit dhe Interit në Serie A, do të ngacmonte një popull të etur për t'u rikthyer në lavditë e disa viteve më parë, kur Bologna luftonte për një vend në Europë. Tregtia e qytetit, por jo vetëm, do të përfitonte nga shitja e fanellave të Ibrës, që do të sillnin të ardhura të konsiderueshme për të mbuluar, të paktën pjesërisht, shpenzimet e nevojshme për realizimin e kësaj ëndrre.

Nga ana tjetër, Ibrahimoviç ka pranuar se një “po” për Bologna do të vinte vetëm për shkak të miqësisë që e lidh atë me Sinisa Mihajloviç, trajnerin serb, që po lufton "dhëmbë për dhëmbë" me sëmundjen e rëndë të leuçemisë. Pra, duke si një alkimi "luftëtarësh" mes dy figurave të njohura futbollistike sllave, që mbiemri iu përfundon njësoj, me "viç". Mbase në Emilia Romagna nuk do të jetë në gjendje të luftojë për titullin, por do të mirëpritej si një hero i padiskutueshëm. Ndoshta gjigandi nga Malmoe, por me origjinë nga Bosnja, ka nevojë për këtë të fundit, në mbyllje të karrierës së ndritshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat