Bytyqi tregon për ndeshjen e parë të Kosovës më 1992

Futboll

Bytyqi tregon për ndeshjen e parë të Kosovës më 1992

Më: 11 nëntor 2019 Në ora: 00:19
Foto ilustrim

Agim Bytyqi po ashtu ka folur edhe për ndeshjen e parë që Kosova e kishte zhvilluar më 1992. Ka thënë se ajo u zhvillua në Tetovë ndaj Maqedonisë me Ajet Shoshollin si trajner të parë të Kosovës.

Për Sportin Total, Bytyqi ka treguar emocionet që kishte në atë kohë.

“Në vitin 1992, Kosova e ka luajtur ndeshjen e parë në Tetovë kundër Maqedonisë së Veriut. Ndeshjen e ka organizuar Shkëndija. Trajner i parë i Kosovës ka qenë Ajet Shosholli. Atë ndeshje e kemi ftuar. Kemi pasur lojtarë shumë cilësorë në atë kohë. Stadiumi ka qenë plot me shikues. Ka qenë ndeshje shumë emocionuese. Në stadium, shikuesit e kanë kënduar këngën, ‘Oj Kosovë oj nëna ime’. Nuk mund ta përshkruaj atë moment. Unë dhe i ndjeri Bedri Hamza kemi qenë në stadium. Në ato momente më kanë shkuar lotët, ishte moment që sot nuk mund ta përshkruaj. Kosova ka luajtur me fanella kuqezi. Kemi udhëtuar me autobus dhe vetura private. Kur jemi kthyer e kemi marrë një autobus me tabela të Tetovës. Në kufi hyri një polic dhe më pyeti kush jeni ju. Unë i thashë se jemi futbollistët e Kosovës. Ai tha se ju jeni futbollistët e Republikës së Kosovës. Më pyeti pastaj a është Republika e Kosovës. Unë i thashë se jemi veteranët e futbollit të Kosovës, por ai më tha ‘mos u tut, thuaje se jeni Republika e Kosovës’. Pastaj doli. Pas kësaj ndeshjeje, kemi luajtur me Shqipërinë. Kemi luajtur në stadiumin e Dinamos. Ka qenë një sukses i madh që Kosova doli jashtë kufijve”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi ka treguar edhe për një takim që kishin pasur me ish-presidentin Ibrahim Rugova për të cilin tha se ishin emocionuar të gjithë.

Bytyqi kujton kohën kur u formua FFK-ja

Agim Bytyqin, kryetari i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës ka kujtuar Kuvendin e parë të 1991-s ku mori votat e delegatëve për të drejtuar futbollin e Kosovës në kohën më të vështirë.

Në një intervistë për Sportin Total në KTV ai ka treguar se si kishin nisur kampionatin dhe se si ishte organizuar gjithçka edhe pse s’kishin asgjë.

“Kemi pasur disa takime, ku kanë marrë pjesë të gjitha klubet nga mbarë Kosova. Kemi mbajtur mbledhje nëpër kafene e çajtore të Prishtinës, pasi nuk kemi pasur zyra në fillim. Është pritur që ata të na dëbojnë neve nga ligat e tyre, por ne nuk pritëm dhe u larguam vetë, duke e formuar ligën tonë. Pas disa mbledhjeve e kemi mbajtur kuvendin e parë ku kanë marrë pjesë delegatë nga të gjitha klubet. Në atë kuvend, më votuan me aklamacion si kryetar. Aq shumë ka pasur delegatë në atë kuvend saqë nuk ka pasur as karrige. Në fillim është quajtur si Lidhja Futbollistike e Kosovës. Në kryesi kanë qenë nga një delegat i secilit qytet. Nuk kemi pasur asgjë, ia kemi filluar prej zeros. Kemi pasur përkrahje të madhe nga populli, me rekuizita me ushqim e me shumëçka”, ka thënë fillimisht ai.

Bytyqi ka kujtuar se si disa herë ishin ndërprerë ndeshjet nga policia serbe.

“Më 17 shtator 1991, e kemi filluar kampionatin. Nëpër fshatra kemi luajtur më tepër, na kanë lëshuar tokë dhe i kemi bërë si fusha futbolli. Të gjitha i kemi bërë, me statut, me rregullore, me të gjitha dhe e kemi nisur kampionatin. Në fillim janë egërsuar serbët dhe na kanë ndërprerë disa herë ndeshjet. Kanë ardhur me autoblinda e me polici. Më kujtohet një ndeshje, Besa me Lirinë në Suharekë, të gjithë lojtarët i kanë mbështetur për muri dhe nuk e kemi ditur se çka do të ndodhë me ta. Ka pasur shumë kërcënime. Shumë herë na kanë ftuar dhe na kanë marrë në pyetje në stacionet e policisë. Shumë persona janë rrahur nga Policia serbe, ka qenë situatë shumë e vështirë. Edhe jetën e kemi pasur të rrezikuar, por nuk jemi ndalur”, ka kujtuar ai.

Bytyqi ka folur edhe për mospranimin e Kosovës në UEFA e FIFA. Ka thënë se gjithmonë kanë marrë përgjigje negative sepse Kosova nuk ishte shtet. Për herë të parë Kosova i kishte shkruar UEFA-s e FIFA-s më 1992.

“Çdo vjet e kemi dërguar përfaqësuesin në UEFA dhe FIFA, për të treguar për atë që po bëjmë. E kemi dërguar statusin, rregulloren, i kemi informuar edhe për kampionin dhe fituesin e Kupës. Por, çdoherë kemi marrë përgjigje negative se nuk mund të pranohemi pasi nuk jemi shtet. Për herë të parë u kemi shkruar në vitin 1992, por nuk kemi arritur të takohemi. Kemi tentuar të shkojmë në Zvicër dhe kur kanë ardhur në Shqipëri, por nuk na i dhanë vizat. E kemi ditur se nuk mund të pranohemi, por kemi provuar dhe kemi dashur të jemi në syrin e UEFA-s, t’i informojmë që jemi duke luajtur, pasi edhe në atë kohë ka pasur diskriminime edhe në sport. Në fillim kemi qenë Lidhja futbollistike e Kosovës. Pas 6 muajve e kemi shpallur Federata e Republikës së Kosovës. Me këtë të fundit i kemi ngacmuar shumë serbët”, ka treguar ai.

Bytyqi ka thënë se kanë pasur kontakte me Federatën e Shqipërisë dhe përmes tyre janë munduar të vënë kontakte me UEFA-n. Ka thënë se ndihmë kanë pasur edhe nga Tetova.

Ai ka thënë se gjatë kohës që udhëhiqte futbollin e Kosovës ishte i frikësuar shumë për futbollistët që thirreshin në Ushtri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat