Challandes: Ndaj Çekisë duhet të luajmë pa presion

Futboll

Challandes: Ndaj Çekisë duhet të luajmë pa presion

Më: 11 nëntor 2019 Në ora: 12:02
Bernard Challandes

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ka mbajtur sot konferencën e parë për media para dy ndeshjeve të nëntorit.

Challandes para këtyre ndeshjeve u shpreh se tanimë nuk është koha që të shtohet presioni tek lojtarët. Ai deklaroi se do të bisedojw me lojtarët por asnjëherë nuk do t’ju flasë për fitore, në mënyrë që të mos ju shtojë presionin për këto dy ndeshje.

“Kur e shoh këtë numër te madh gazetarësh mendoj qe përpara kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme. Nëse e kujtojmë shortin, kujtojmë ambiciet që kemi pasur atëherë dhe ato ambicie kanë qenë që të zhvillojmë ndeshje të mira, por jo që t’i krijojmë vetes presion të tepruar. Shumë njerëz po mendojmë se ne e kemi me patjetër te fitojmë kundër Çekisë dhe nëse nuk fitojmë çdo gjë ka mbaruar. Unë nuk mendoj kështu dhe nuk e shoh atë ndeshje në atë mënyrë. Është e rëndësishme që të bëjmë një ndeshje të madhe, një ndeshje të mrekullueshme dhe nëse luajmë në atë mënyrë edhe fitorja do të vijë. Asnjëherë nuk do të flasë me skuadrën dhe t’ju jap më shumë presion. Është e rëndësishme të mbesim të njëjtë dhe jo të ndryshojmë tani për këto dy ndeshje që e përcaktojnë fatin tonë në këto kualifikime", tha fillimisht Challandes.

Challandes shtoi se ndaj Çekisë nuk është ndeshja e jetës, por sipas tij po pret që lojtarët të zhvillojnë ndeshjen më të mirë në jetën e tyre.

Zvicerani u pyet edhe për situatën e sulmuesit më në formë tek Kosova, Vedat Muriqi për të cilin shpreson që të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj kombëtares çeke.

“Absolutisht që ka pasur ndikim transferimi i tij në Fenerbahçe. Ai e ka dëshmuar me lojën dhe golat e tij që është i gatshëm për një nivel siç është edhe skuadra e Fenerbahçes. Sa i përket lëndimit të tij, jemi duke e përcjellë situatën e tij. Gjatë ditës së djeshme ka thënë se ka dhimbje por ditë pas ditë po bëhet më mirë dhe shpresojmë që të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Çekisë", tha Challandes.

Për lojtarët tjerë Challandes tha se është vetëm Shala që ka pësuar një lëndim dhe pritet të analizohet më me detaje situata e tij.

Sa i përket kundërshtarit të parë, Çekisë, Challandes tha se nuk dëshiron të flasë për pikët e dobëta të kësaj kombëtare. Ai shtoi se kjo ndeshje nuk do të jetë aspak e njëjtë siç ishte ndeshja e zhvilluar në Prishtinë.

"Përjashtuar ndeshjen me Anglinë, asnjë skuadër nuk ka pasur paraqitje më të mira sesa Çekia. Asnjë kundërshtar tjetër nuk ka pasur 6 raste shënimi ndaj nesh siç kishte Çekia ndaj Kosovës. Për fitoren ndaj Anglisë të gjithë kemi qenë të befasuar mirëpo po ju them se atë ndeshje e ka fituar skuadra më e mirë në fushë", shtoi Challandes.

Kujtojmë që Kosova sot do ta zhvillojë edhe stërvitjen e parë para këtyre ndeshjeve.

Kosova të enjten luan ndaj Republikës Çeke ndërsa të dielën e pret Anglinë në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat