Florian Kamberi tregon pse zgjodhi Shqipërinë para Kosovës dhe Zvicrës

Futboll

Florian Kamberi tregon pse zgjodhi Shqipërinë para Kosovës dhe Zvicrës

Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 15:38
Florian Kamberi tregon pse zgjodhi Shqipërinë para Kosovës dhe Zvicrës

Ditën e sotme kanë dalë në konferencë për shtyp dy futbollistët e kombëtares, Florian Kamberi dhe Hysen Memolla, ku kanë folur për grumbullimin në prag të dy sfidave kualifikuese, që Shqipëria do të zhvillojë më datë 14 nëntor ndaj Andorrës dhe më 17 nëntor ndaj Francës.

Florian Kamberi në fjalën e tij theksoi: “Çunat më kanë pritur shumë mirë dhe seancat stërvitore kanë shkuar vërtetë mirë.

Kuptohem mirë me të gjithë dhe më kanë qëndruar pranë e mbajtur afër. Kam pasur kontakte me Shqipërinë, Kosovën dhe Zvicrën, por kuqezinjtë janë treguar më të interesuar dhe e kam pasur të lehtë që të zgjedh ata. Unë e pata sqaruar që në fillim, se pikë së pari dua që të stabilizohem në një klub dhe pastaj do zgjedh. Pasi kalova një vit te Hibernian, pashë që Shqipëria u interesua më shumë dhe vendosa të zgjedh kuqezinjtë. Jam gati dhe në formë mjaft të mirë. Shpresoj të luaj në këto takime. Me dokumentet merren njerëz të tjerë, unë përgjigjem vetëm në fushë dhe jam në formë. Nuk kam folur akoma me Rejën dhe do ta bëj këtë më vonë, por ai luan me 3-5-2 dhe unë ndihem më mirë me skemën me dy sulmues përpara.”

Hysen Memolla në fjalën e tij u shpreh: “Ne kemi objektivat tona dhe ndonëse kemi thuajse zero shanse për kualifikim, sërish duam të japim maksimumin dhe të fitojmë. Pavarësisht kë kemi përpara, Francën apo Andorrën, ne duhet të japim maksimumin në fushë. Vendimet i merr trajneri, por nëse vendos që unë të luaj, jam gati të bëj maksimumin për të ndihmuar shokët dhe skuadrën.

Konkurrenca është shumë e mirë, pasi të motivon të japësh më shumë edhe në stërvitje dhe të ndihmon të zhvillohesh edhe më shumë. Sa më shumë të jemi, aq më shumë opsione ka trajneri dhe të tre që jemi këtë herë në grumbullim, jam i bindur që jemi gati të japim maksimumin. Të gjithë duam të shënojmë gol për kombëtaren, por unë më shumë jam i përqendruar më tepër të jap maksimumin.

Më shumë më intereson fitorja e skuadrës, sesa goli im, por ideale do të ishte të shënoja dhe të fitonim. Mendoj që mund të ndihem mirë, për karakteristikat që kam. Në stërvitje mendoj se e kam interpretuar mirë, por duhet të shohim në fushë. Kam provuar një skemë të tillë me Panuccin, por duhet të shoh si mund të përshtatem tani me Rejën, ndonëse mendoj se karakteristikat i kam".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat