Bushi: Anglia shumë e fortë, por mund t’ia dalim

Futboll

Bushi: Anglia shumë e fortë, por mund t’ia dalim

Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 19:41
Bushi: Anglia shumë e fortë, por mund t’ia dalim

Shqipëria U21 do të përballet me të njëjtën grupmoshë të Anglisë nesër në “Loro Boriçi”, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Europianit, ndërsa trajneri Alban Bushi doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp.

Tekniku i Shpresave kuqezi pranoi se do të jetë një takim mjaft i vështirë, duke parë emrat që kundërshtari ka në organikë, por bëri thirrje për përqendrim maksimal, si mënyra e vetme për të tentuar një rezultat pozitiv.

Sa e vështirë është të përballeni me Anglinë?
Anglia është një ekip i fortë dhe ne e kemi parë, që i ka fituar të gjitha ndeshjet që ka luajtur. E dimë forcën e tyre dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë ne, për të marrë një rezultat pozitiv. Duhet të shmangim çdo dyluftim sepse fizikisht ata janë më të fortë. Janë të shpejt dhe i kemi marrë të gjitha masat për ta përballuar ashtu siç duhet. Kam shumë besim tek ekipi që nesër do të bëjmë maksimumin, sepse një ekip si Anglia përballohet vetëm nëse jep 150% nga vetja jote.

A ju ndihmon fakti që do të luhet në një stadium si “Loro Boriçi”, me terren të mirë dhe ndoshta me mbështetje të madhe të tifozërisë shkodrane?
Kemi luajtur vetëm një herë në “Loro Boriçi”, ndaj Maltës dhe kemi fituar 3-2. Shpresojmë të jetë një ogur i mirë dhe marrim një rezultat pozitiv edhe nesër ndaj Anglisë.

Si mund të përballohet Anglia?
Është një ndeshje që do shumë durim. Është një ndeshje ku duhet pritur. Kemi përballë një ekip që e kontrollon topin gjatë gjithë lojës, nuk të lë hapësira që të ndërtosh aksione dhe për këtë jemi përgatitur. Duhet durim dhe sakrificë. Duhet të luftojmë për njëri-tjetrin duke dhënë maksimumin. Anglia ka objektiv fitimin e Kampionatit Europian. Kanë një ekip të rinj në moshë dhe me vlera, si dhe luajnë me ekipe shumë të mëdha. Jemi të përgatitur për këtë gjë, por besoj se do të jetë një Shqipëri shumë e fortë. Rezultatin nuk e kemi ne në dorë. Ne duhet të luftojmë, t’i bëjmë hyzmetin dhe të sakrifikojmë për shokun, për veten tonë, për ekipin, për Shqipërinë.

A beson ende Shqipëria te kualifikimi?
Tre pikët e marra ndaj Kosovës ishin të parat për ne në këtë edicion dhe na kanë dhënë një moral të lartë e besim te vetja, për të pretenduar një rezultat pozitiv edhe ndaj Anglisë. Gjithsesi duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të jemi të ndërgjegjshëm kush është Anglia dhe kush jemi ne.

Si është gjendja e futbollistëve të grumbulluar për këtë takim?
Kemi pasur shumë mungesa gjatë gjithë kohës dhe 3 lojtarë janë te U19-a. Tafa ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, ndërsa Vrioni dhe Muçolli janë të dëmtuar. Kemi marrë shumë lojtarë të vitlindjes 2000. Janë lojtarë me minuta në këmbë dhe do t’iu jepet shansi. Lojtarët duhet të bëhen bashkë për të përballuar një ndeshje të madhe. Unë e kuptoj çfarë pret publiku, pret që ne të luftojmë dhe të luajmë futboll të bukur. Tifozët dhe ne jemi të kënaqur nëse kemi djersitur bluzën, pavarësisht nga rezultati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat