Sermaxhaj për Kosovën: Duhet të tregohemi të mëdhenj e mikpritës ndaj anglezëve

Futboll

Sermaxhaj për Kosovën: Duhet të tregohemi të mëdhenj e mikpritës ndaj anglezëve

Nga: Kemajl Goca Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 17:36
Sermaxhaj për Kosovën: Duhet të tregohemi të mëdhenj e mikpritës ndaj anglezëve

Anglia kërkon fitore të dielën (në orën 18.00) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe të përmbyllin në mënyrën më të mirë fazën e grupeve.  Kombëtarja e Kosovës nuk e ka asnjë pikë presioni por do të luajë lirshëm ndaj Anglisë apo djepit të futbollit në ndeshjen e fundit të grupit A të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020.

Image

Anglia dhe Çekia kanë siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020, ndërsa Kosova do të kërkojë këtë përmes play-off-it të Ligës së Kombeve në pranverën e vitit 2020, ku do të ndeshet në gjysmëfinale me Maqedoninë e Veriut. Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challendes, do të zbarkojë në fushë përbërjen më të mirë, sigurisht edhe ai i Anglisë, Gareth Southgate.

Harry Kane me shokë sigurisht se do të dhurojnë spektakël në Prishtinë, ndërsa Kosova do të orvatet të befasojë edhe pse ka dy mungesa të mëdha, Vedat Muriqin dhe Arbër Zenelin. Kosova vetëm një herë është takuar me Anglinë deri me tash dhe në Southampton ku kishte humbë me 5:3. Anglia prinë në grup me 18 pikë, duke lënë pas Çekinë me 15, Kosovën 11, Bullgarinë dhe Mali e Zi me nga 3 pikë.

Analisti i futbollit Genc Sermaxhaj, tha se sfida Kosovë-Angli më shumë është për një spektakël. “Kjo ndeshje tani më shumë është për prestigj e spektakël, ngase ne kemi humbur tashmë gjasat për kualifikim.

Tani duhet të tregohemi po njësoj të mëdhenj e mikpritës ndaj anglezëve, të tregojmë përshtypje të mira tek ta për organizimin dhe mikpritjen që duhet t’ua bëjmë dhe sa i përket ndeshjes, të dyja ekipet shpresoj të shfaqin atraktivitet për të gjithë të pranishmit sepse luajnë pa presion.  Kosova duhet të vazhdoj të aplikoj dhe ta përvetësoj me shumë lojën e saj sepse i duhet për ndeshjen e marsit ndaj Maqedonisë.  

Kjo ndeshje besoj se do të ketë edhe gola dhe shumëçka tjetër, por ne duhet të tregohemi të kujdesshëm në sjelljet tona ndaj kësaj kombëtare e cila për herë të pare vije në Kosovë. Edhe sikur të fitonim ndaj çekëve, duhet të jemi të sinqertë, ndeshja ndaj Anglisë do të kishte me qenë shumë e vështirë. Sidoqoftë e presim me padurim ndeshjen dhe futbollistët e dyja ekipeve duke përformuar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’”, thotë Sermaxhaj për gazetën kombëtare “Bota sot”.

A është thikë me dy tehe play-off-it i Ligës së Kombeve, sidomos takimi me Maqedoninë e Veriut? “Edhe ndeshja ndaj Maqedonisë në muajin mars është e vështirë. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe të bëjmë ndeshje të mirë nëse duam ta fitojmë takimin. Deri atëherë ndryshojnë shumë gjëra, por ne duhet të jemi optimist, por jo euforik si ndaj Çekisë.

Duhet të mbesim në tokë dhe të mendojmë pozitivisht. Kemi kohë për të dhënë analiza për atë ndeshje, duhet të kthehemi mendimeve pozitive sepse deri tani këta futbollistë kanë bërë shumë për përfaqësuesen tonë dhe ne jemi vërtet fitues në të gjitha drejtimet sepse kemi krijuar ekip shumë të fortë edhe për eliminatoret tjera”, përfundoi Sermaxhaj.

Grupi A
E diel

Bullgaria-Çekia    18.00
Kosova-Anglia    18.00

Tabela
1.Anglia     7    6    0    1    18
2. Çekia    7    5    0    2    15
3. Kosova    7    3    2    2    11
4. Mali i Zi    8    0    3    5    3
5. Bullgaria    7    0    3    4    3

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat