Juventus, tifozët zgjedhin Zonjën më të bukur të të gjitha kohërave

Futboll

Juventus, tifozët zgjedhin Zonjën më të bukur të të gjitha kohërave

Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 17:48
Juventus

E përditshmja italiane Tuttosport ka zhvilluar gjatë këtyre ditëve një sondazh me synimin për të zgjedhur skuadrën më të mirë të të gjitha kohërave të Juventus-it. Lexuesit kanë patur mundësinë të zgjedhin mes pesë skuadrave: 

Skuadrën e sezonit 1959-60, që fitoi kampionatin dhe Kupën e Italisë nën drejtimin e Carlo Parola-s; ato të Giovanni Trapattoni-t të sezoneve 1976-77 dhe 1982-83, që fituan respektivisht kampionatin dhe Kupën e Kampionëve; skuadrën e sezonit 2005-06 të Fabio Capello-s, që fitoi titullin më pas të hequr për shkak të Calciaopoli-t, dhe skuadrën e këtij sezoni. 

Titullin e më të mirës së të gjitha kohërave, me 30% të votave, e ka marrë Juventus-i i sezonit 2005-06. Trajneri Capello ka përdorur atë vit skemën 4-4-2 dhe formacioni titullar ishte: Buffon; Zebina, Thuram, Cannavaro, Zambrotta; Camoranesi, Vieira, Emerson, Nedved; Ibrahimovic, Trezeguet. 

Golashënuesi më i mirë ka qenë pikërisht Trezeguet, me 29 realizime, ndërsa ai që ka luajtur më shumë ndeshje ka qenë Cannavaro. Ai sezon, për shkak të heqjes së titullit dhe rënies në Serinë B, përfaqëson një moment shumë të keq për bardhezinjtë, por duket se ai ekip ka mbetur në zemrën e tifozëve.  

Në vendin e dytë, me 27% të votave, është Zonja e Vjetër e sezonit 1982-83. Trajneri Trapattoni, i cili ishte në vitin e tij të shtatë në drejtim të bardhezinjve, luante me skemën 4-2-1-3 dhe formacioni ishte: Zoff; Gentile, Brio, Scirea, Cabrini; Furino, Tardelli; Platini; Boniek, Rossi, Bettega. 

Golashënuesi më i  mirë, ashtu si edhe lojtari me më shumë ndeshje të luajtura, ka qenë Platini, i cili shënoi 28 gola në 52 ndeshje mes kampionatit dhe kupave. 

Në fund, medalja e bronzit ka shkuar për Juventus-in e këtij sezoni. Cristiano Ronaldo duhet të dorëzohet para Zlatan Ibrahimovic dhe heronjve të së kaluarës. Ekipi i Maurizio Sarri-t ka siguruar vendin e tretë me 26% të votave.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat