The Sun: Vendi i vogël i Ballkanit po planifikon të shfaqë imazhe me lulëkuqe në stadium ‘Fadil Vokrri’

Futboll

The Sun: Vendi i vogël i Ballkanit po planifikon të shfaqë imazhe me lulëkuqe në stadium ‘Fadil Vokrri’

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 13:55
The Sun: Vendi i vogël i Ballkanit po planifikon të shfaqë imazhe me lulëkuqe në stadium ‘Fadil Vokrri’

“Mirë se vini vëllezër”. Ky është baneri i madh, mjaft i dukshëm në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, që iu uron mirëseardhjen “Tre Luanëve”.

Një rast i papërsëritshëm për “Dardanët”, që të kenë bujtës në shtëpi kombëtaren e madhe europiane, të një vendi mjaft mik, që ka pritur e strehuar shumë emigrantë kosovarë të ikur nga lufta, që dha kontribut të paçmueshëm për çlirimin e këtij vendi nga serbët, përkrah trupave të tjera të NATO-s.

Pra, mirënjohja për popullin anglez është e madhe, ajo demonstrohet edhe në këtë mënyrë. Në fushën e blertë, sportivisht, pastaj do të kërkohet fitorja për të dyja palët, por e sigurt është se do të duartrokiten edhe të besuarit e trajnerit Southgate.  
Mediat britanike i bëjnë jehonë mikpritjes kosovare, në prag të ndeshjes kualifikuese të “Euro 2020”, e vlefshme për grupin A. Tablodi i njohur “The Sun”, edhe përmes fotove domethënëse nga Prishtina, shkruan: “Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës do të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme që lojtarët dhe tifozët e Anglisë të ndjehen të mirëpritur në Prishtinë. 
Vendi i vogël i Ballkanit po planifikon të shfaqë imazhe me lulëkuqe në stadium, nesër, në nderim të ushtarëve britanikë. Ushtarët tanë ishin pjesë e një koalicioni ndërkombëtar që detyroi Serbinë të tërhiqej nga territori i Kosovës, pas një konflikti të hidhur në fund të viteve 1990.
Dhe mbi të gjitha, kombëtarja e Kosovës ka lejuar që Anglia të qëndrojë në hotelin e saj të preferuar dhe vetë të transferohet në një tjetër.
Presidenti i Federatës së Kosovës, Agim Ademi, tha: "Ne jemi gjithmonë mirënjohës për atë që bëri Anglia për vendin tonë. Duam ta përdorim këtë ndeshje për t'i thënë faleminderit Anglisë dhe Britanisë. Sa i përket kualifikimit, ndeshja nuk ka asnjë efekt për ne, por është një ngjarje e madhe sportive për vendin. Kjo është një ndeshje e rëndësishme për shkak të marrëdhënieve politike midis Kosovës dhe Britanisë, e cila ishte një nga ndihmësit tanë kryesorë gjatë dhe pas luftës. Ne kemi shumë njerëz që jetojnë në Angli. Kemi bërë çmos për t'ju dhënë disa njerëz të famshëm, shumë të mirë nga bota e muzikës, si Rita Ora dhe Dua Lipa. Ju, gjithashtu, keni Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin atje”. 
Lojtarët e Kosovës ishin pre e shumë abuzime raciste në humbjen 2:1 ndaj Çekisë, të enjten, një rezultat që do të thotë se ata mund të kualifikohen në “Euro 2020” vetëm  përmes “play-off”-it.

Ademi shtoi: "Ne jemi gjithmonë kundër racizmit, por duam t'i tregojmë botës të dielën se nuk ka vend për urrejtje. Ne e kemi përjetuar luftën dhe racizmin, nuk duam që dikush tjetër ta kalojë këtë situatë. 

Kjo ndeshje do të jetë një mesazh se futbolli duhet të jetë argëtues. Unë dua t’iu them tifozëve dhe lojtarëve të Anglisë se ky vend është shtëpia juaj. Do të ndjeheni të sigurt. Po ashtu, dua ta uroj Anglinë për kualifikimin".

Kosova pati sulme raciale edhe në Bullgari, gjatë fitores së saj 3-2, në qershor. Ajo pati shumë probleme të tilla edhe në Plzen. Presidenti Ademi, skuadra e të cilit humbi 5:3 ndaj Anglisë në shtator, shtoi: "Racizmi këtë sezon është një surprizë. E provuam këtë të enjten. Ne shënuam dhe pastaj dëgjuam shumë kore raciste”. 

Ndërkohë, “The Sun” e ka hapur edhe faqen e parë të versionit të saj print me mikpritjen kosovare. Në ballinën e medias më të madhe angleze është shkruar emri i Kosovës me një zemër, pasi “Tre Luanët” po ndihen si në shtëpi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat