Metamorfoza e Spanjës, Roja ka mësuar të fitojë pa "ndihmën" e Barçës dhe Real-it

Futboll

Metamorfoza e Spanjës, Roja ka mësuar të fitojë pa "ndihmën" e Barçës dhe Real-it

Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 09:05
Spanja

Njëzetetre pikë në nëntë ndeshje dhe vendi i parë në grup: Spanja e trajnerit Roberto Moreno ka siguruar kualifikimin në Euro 2020 pa asnjë problem. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se Roja është një kombëtare e përfunduar, veçanërisht duke parë rezultatet zhgënjyese që ka marrë në kompeticionet e fundit ndërkombëtare.

Pas fitores së Kupës së Botës në 2010-ën dhe triumfin në Euro 2012, kanë ardhur vetëm zhgënjime. Nuk ka qenë vetëm një rënie e Spanjës, por edhe e numrit të lojtarëve të marrë nga Real-i dhe Barça.

Kur Roja ka ngritur në qiell për herën e parë dhe të vetme Kupën e Botës dhe ka turpëruar dy vite më pas Italinë në finalen e Europianit, dhjetë lojtarë nga njëmbëdhjetë luanin te Barça ose Real-i. E vetmja "dele e zezë" ishte ylli i City-t, David Silva. Nga ajo kohë, blaugrana-t dhe los blancos pothuajse janë "zhdukur" nga kombëtarja. Mungesa e katalanasve dhe madrilenëve ka korresponduar me mungesën e rezultateve.

Pas dështimit në Rusi, trajneri Luis Enrique ka nisur të presë lidhjet me të kaluarën dhe pjesën tjetër të punës e ka bërë pasardhësi i tij, Roberto Moreno. Në tetorin e 2018-ës, Roja ka mundur Uellsin: Ramos dhe Cabellos ishin dy lojtarët e vetëm të Real-it, ndërsa Sergio Busquets ishte i vetmi për Barçën. E njëjta gjë ka ndodhur edhe kundër Suedisë (1-1): asnjë lojtar i Barçës dhe Real-it nuk ka luajtur 90 minuta.

Spanja e sotme mbështetet te lojtarët e Villarreal-it: Santi Cazorla, Raul Albiol, Gerard Moreno dhe Pau Torres. Ndryshe nga e kaluara, kur përfaqësuesja përbëhej nga lojtarët e dy ose tre ekipeve, lojtarët e grumbulluar nga Moreno vijnë nga 17 skuadra të ndryshme, që luajnë në 6 vende të ndryshëm: përveç Spanjës, ka shumë Itali, Angli, Gjermani, Francë dhe Kroaci.

Trajneri Moreno e ka shpjeguar me këto fjalë zgjedhjen e tij: "Nuk ka shumë lojtarë që mund të grumbullohen në pjesën më të madhe të skuadrave. Do të më pëlqente të kisha nëntë lojtarë që luajnë në një ekip, do të ishte gjithçka më e lehtë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat