Benzema kërkon të luajë për një tjetër kombëtare

Futboll

Benzema kërkon të luajë për një tjetër kombëtare

Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 10:47
Karim Benzema

Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka kërkuar të ndërrojë kombëtaren pas përplasjes së sërishme me krerët e Federatës së Futbollit të Francës.

Benzema, që s’është paraqitur për kombëtaren franceze që nga viti 2015, nga shumë analistë është parë si mungesë e madhe për sulmin e kampionit të botës. Ai ka mbetur jashtë kombëtares pas akuzave për shantazh ndaj bashkëlojtarit Mathieu Valbuena, lidhur me një videoincizim. 31-vjeçari mungoi në “Euro 2016” dhe më pas në Botërorin 2018.

Tani ai ka reaguar sërish ndaj federatës duke shprehur dëshirën për të ndërruar kombëtaren.

“Noel, kam menduar se nuk ndërhyni në vendimet e trajnerit. Dua të dini se unë dhe vetëm unë mund t’i jap fund karrierës sime ndërkombëtare. Nëse mendoni se kam marrë fund, më lejoni të luaj për një nga shtetet ku mundem dhe do të shohim”, ka shkruar ai në Twitter duke iu drejtuar kryetarit të FFF-së, Noel La Graet.

Edhe pse Benzema është me prejardhje algjeriane ai konsiderohet se do ta kishte tejet të vështirë të ndërronte kombëtaren, pasi më parë ka luajtur për Francën dhe një gjë të tillë nuk e lejojnë as rregullat aktuale të FIFA-s.

Deklarata e Benzemas erdhi pak pasi Le Graet tha se ai s’do të ftohet më kurrë për të luajtur për Francën.

“Benzema është lojtar shumë i mirë, s’kam dyshim në kualitetet e tij. Ai tregon te Real Madridi që është një prej më të mirëve. Por aventura e tij me kombëtaren franceze ka marrë fund”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat