A më mirë që kemi dy kombëtare shqiptare apo duhet vetëm një, flet Ajet Shosholli

Futboll

A më mirë që kemi dy kombëtare shqiptare apo duhet vetëm një, flet Ajet Shosholli

Nga: Kemajl Goca Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 16:48
Ajet Shosholli

Ka kohë që flitet se duhet të kemi vetëm një kombëtare dhe kësisoj mund të jemi më të fuqishëm, por ka edhe shumë e shumë të tjerë, që thonë, se aktualisht që kemi dy kombëtare, është shumë më mirë dhe edhe një prezantim i vlerave të futbollit shqiptar.

Rasti më i mirë apo shembulli më i mirë është kombëtarja e Kosovës e cila me lojëra dhe rezultate po fascinon jo vetëm Kontinentin e Vjetër.  Ish selektori i parë i kombëtares së Kosovës, Ajet Shosholli, ka folur se a është më mirë që kemi dy kombëtare apo sikur të kishim një, si dhe si e sheh sfidën mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, e cila luhet me 26 mars (2020) në kuadër të gjysmëfinales së play-off-it të Ligës së Kombeve.  

“Për mendimin tim, një gjë është shumë e mirë që kemi dy kombëtare, mos të them që është privilegj por është një përparësi për kombin tonë që kemi dy kombëtare. Sepse, më së pari jemi shtet i pranuar prej 100 e sa shteteve,  jemi shtet, domethënë me të gjitha kompetencat jemi të pranuar në UEFA e FIFA në vitin 2016 dhe me të drejta të barabarta me të gjitha shtetet tjera që ekzistojnë. Është një gjë e mirë dhe një përparësi që kemi dy kombëtare.  

Një gjë tjetër që është, këtu, ne si duket po e harrojmë që lojtari kyq dhe lojtari kryesor është UEFA, edhe nëse dojmë ne të bëjmë atë, është UEFA a e lejon apo jo, unë mendoj, se edhe UEFA nuk e besoj se do ta lejojë. Është një gjë shumë e mirë edhe në mënyrë profesionale nëse mendojmë për futbollin shqiptar, është shumë pozitive që kemi dy kombëtare.  

Vetëm një shembull, po e shohim se kombëtarja jonë, e Kosovës është në ekspansion, domethënë ka rezultate të lakmueshme, për këtë periodë sa jemi të pranuar, me rezultate shumë të mira dhe për tri vite, që shpresoj se do ta kemi edhe ne at mundësi sikurse Kroacia, e cila pas tri viteve pas Konferencës së Dejtonit që është pranuar si shtet, në vitin 1998 ka qenë pjesëmarrëse e Kampionatit Botëror,  po ka qenë edhe e treta në botë. Unë së paku mendoj dhe të gjithë mendojnë, që kemi dëshirë ta përsërisim disi, që të jemi së paku në evenimentin evropian 2020, i bie pas tri viteve e diçka, që është një gjë shumë e madhe për kombëtaren e Kosovës. Në aspektin profesional të them, është një pyetje e madhe, të gjithë këta futbollistë veten e kanë dëshmuar në Evropë apo po i quajnë Brazili i Ballkanit këta futbollist, që na bëjnë të gjithë që të jemi krenar.

A kishim me pas këtë ngritje profesionale futbollistike në kombëtaren e Shqipërisë, sepse është në pyetje një Vedat Muriqi, a kishte me ardhur në shprehje të Shqipëria, a kishte me qenë i ftuar, një Milot Rashica, një Amir Rrahmani - kapiten apo Hekuran Kryeziu, Herolind Shala, Arbër zeneli, të gjithë këta po shkëlqejnë, a kishte me pas vend për të gjithë këta në kombëtare të Shqipërisë?

Unë besoj, sigurisht se jo, sepse nëse e krahasojmë me ata futbollistë të cilët i thirr Shqipëria është e pamundur që të gjithë të ishim në një kombëtare, të gjithë të përfshirë, e që del për futbollin shqiptar edhe në mënyrë profesionale është një gjë e mirë që kemi dy kombëtare.

Prej futbollistëve të rinj të Shqipërisë e kemi Manajn, Ndojn, Uzunin, Ramadanin, e shumë të rinj, po ashtu Roshi që është me eksperiencë etj. që janë në rritje e sipër, do të thotë numri i futbollistëve cilësor, është shumë më i madh, që kishte me qenë e pamundur në rast që të kishim një kombëtare, të gjithë këta që të kanë vendin dhe të afirmohen si futbollist, qysh po afirmohen deri me tani posaçërisht e kam fjalën për ata futbollist që i ceka më lartë te kombëtarja e Kosovës!”, tha Shosholli për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Shosholli ka marr si shembull edhe Britaninë e Madhe. “Britania e Madhe ka pesë kombëtare,  Anglinë, Republikën e Irlandës, Irlandën e Veriut, Uellsin e Skocinë ose kemi dy Kore, Koreja Jugut e Koreja e Veriut, pastaj Austria dhe Gjermania, e kemi shumë shembuj, domethënë nuk shkon me një kombëtare por me një kombëtare vetanake, që është shumë më produktive dhe më e mirë për cilësinë e futbollit shqiptar”, tha ai.  

Si e sheh Kosovën me 26 mars kundër Maqedonisë së Veriut, edhe pse ka kohë deri atëherë, një sfidë e vështirë, apo duhet që ta kemi kujdesin maksimal?

“Mendoj, mos ta banalizojmë këtë, gjithë po e themi jorastësisht dhe sigurisht që është edhe ashtu, se të gjithë po krenohemi me rezultate të cilat i kemi arritur deri tani, në tri vite.

Kemi qenë konkurrentë shumë të denjë deri në ndeshjen me Çekinë, dy ndeshje para ciklusit, para se të mbarohet me kualifikime, Kosova ka qenë shumë kandidat serioz dhe një ndër potencial që të kualifikohemi. Mirëpo është një gjë e mirë Liga e Kombeve e cila na jep një mundësi dhe besoj e shpresoj se vetëm është një prolongim i yni domethënë për kualifikim, edhe pse prej dëshirës, po mendoj edhe prej mundësive që i kemi, që të kualifikohemi në pranverë, me 26 mars, pikërisht në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut.

Dorën në zemër edhe maqedonët kanë krijuar një kombëtare mjaft të fortë, ku fatbardhësisht dhe për të mirë të futbollit shqiptar i kemi 4-5 futbollistë cilësor, që luajnë për Maqedoninë e Veriut, mendoj që është prapë progresive për futbollin shqiptar.

Po e potencoj edhe një herë, do të jetë mjaft e vështirë, mirëpo unë mendoj që, nëse ne, për atëkohë, e kemi gjithë kontingjentin në grumbullim, e potencoj të gjithë këta që i kemi për momentin edhe ata të lënduarit po aludoj në Vedat Muriqin, Arbër Zenelin, Hekuran Kryeziun, Herolind Shalën, atëherë mendoj se na do të jemi një arrë shumë e fortë dhe do të jetë një ndeshje, që mendoj se ku Kosova do të arrijë qëllimin, që ti jap vetes shansin që në duelin tjetër të fituesit Gjeorgji-Bjellorusi , edhe pse edhe Gjeorgjia ndoshta edhe Bjellorusia, janë kombëtare mjaft cilësore, do të thotë që këto dy pengesa do t’i kalojmë me sukses dhe për herë të parë në historikun tonë që të jemi pjesëmarrës në evropianin 2020.

Normalisht është edhe dëshirë e gjithë neve, mendoj se kemi edhe mundësi edhe cilësi, na nuk duhet të zhgënjehemi edhe nëse nuk ia arrijmë këtij qëllimi sepse për tri vite kemi arritur shumë, kemi formuar një kombëtare shumë respektabile, të cilën po e respekton gjithë Evropa, duke filluar prej një fuqie që është Anglia, Gjermania, të gjithë folin me superlativ për Kosovën, e që meritë kanë futbollistët, së bashku me stafin teknikë dhe me gjithë faktorin që ia mundësojnë kombëtares që të zhvillohet  në një nivel më të lartë furbollistik së bashku me federatën”, përfundoi Shosholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat