Hasani me shumë entuziazëm pret aventurën e tij në Finlandë

Futboll

Hasani me shumë entuziazëm pret aventurën e tij në Finlandë

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 11:56
Hasani me shumë entuziazëm pret aventurën e tij

Edhe pse aventura e Ferhan Hasanit me HJK Helsinkin e Finlandës zyrtarisht do të startojë në janar të vitit të ardhshëm, tetovari edhe pse në distancë tashmë punon nën urdhrat e stafit teknik të skuadrës finlandeze. 

Ferhan ‘Buba’ Hasani me shumë entuziazëm pret aventurën e tij të re profesionale me HJK Helsinkin e Finlandës.

Tetovari kohë më parë firmosi për një vit me ekipin më të titulluar në këtë vend skandinavik, ndërsa duke llogaritur faktin se kampionati i atjeshëm zhvillohet sipas kalendarit vjetor, Hasani me ekipin do të bashkohet në janar të vitit 2020 kur nisin përgatitjet për sezonin e ri. 

Mirëpo si profesionist i vërtetë, duke pretenduar që sa më i përgatitur të shkojë në grumbullimin me HJK Helsinkin, ‘Buba’ tashmë stërvitet intensivisht në mënyrë individuale në Tetovë, gjithnjë sipas planprogramit të dhënë nga stafi teknik i skuadrës finlandeze.

Ajo që bie në sy në moment të parë dhe që të jep përshtypjen se bëhet fjalë për një klub të madh dhe serioz, është fakti se ende pa shkuar në Finlandë, Hasani seancat stërvitore i zhvillon në uniformë të HJK Helsinkit. 

Kjo do të jetë skuadra e pestë në karrierën e Ferhan Hasanit, pasi përveç klubit amë Shkëndijës ka luajtur edhe me Wolfsburgun e Gjermanisë, Brondbyn në Danimarkë dhe Al Raed në Arabinë Saudite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat