"Duhet ta pranojmë se kemi një problem serioz", letra e hapur e 20 klubeve të Serisë A

Futboll

"Duhet ta pranojmë se kemi një problem serioz", letra e hapur e 20 klubeve të Serisë A

Më: 30 nëntor 2019 Në ora: 07:14
Seria

Një nismë e bukur që ka ardhur nga dora e të gjitha skuadrave të Serisë A. Nëpërmjet profileve të tyre në internet dhe rrjetet sociale, në prag të javës së 14-të të kampionatit, të gjitha ekipet kanë publikuar një letër të hapur kundër fenomenit të racizmit, që vazhdon të jetë një plagë në Itali dhe jo vetëm.

Duhet vazhduar të luftohet, me forcë, sepse "është një turp për të gjithë", siç lexohet në mesazh. Nuk ka më kohë për të humbur.

Versioni origjinal:

"Duhet të pranojmë se kemi një problem serioz me racizmin në stadiumet italiane dhe se nuk e kemi luftuar mjaftueshëm gjatë këtyre viteve. Edhe në këtë sezon, imazhet e futbollit tonë, në të cilat futbollistët kanë qenë viktima të fyerjeve raciste, kanë bërë xhiron e botës, duke krijuar debate kudo.

Është irrituese dhe një turp për të gjithë ne.

Në futboll, ashtu si në jetë, askush nuk duhet të pësojë fyerje raciste. Nuk mund te qëndrojmë më pasivë dhe të presim që gjithçka të zhduket.

Të shtyrë nga klubet angleze, në javët e fundit ka nisur një ballafaqim konstruktiv me Lega Serie A, FIGC dhe ekspertë ndërkombëtarë në lidhje me çrrënjosjen e këtij problemi nga bota e futbollit.  

Ne, klubet që nënshkruajnë këtë letër, jemi të bashkuar nga dëshira për ndryshime serioze dhe Lega Serie A ka deklaruar qëllimin e saj për të udhëhequr këtë rrugëtim nëpërmjet një politike solide anti-racizëm në Serie A, me ligje të reja dhe rregulla më të ashpra, bashkë me një plan sensibilizimi të menduar mirë për të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë sport në lidhje me plagën e racizmit.

Nuk kemi më kohë për të humbur.

Duhet të reagojmë të bashkuar me shpejtësi dhe vendosmëri, dhe kështu do të bëjmë nga tani e në vazhdim. Tani më shumë se kurrë kontributi dhe mbështetja juaj, tifozë të klubeve tonë dhe të futbollit italian, do të jetë thelbësore në këtë sforcim me rëndësi jetike.

Nënshkruar,  Atalanta, Bologna, Brescia, Cagliari, Fiorentina, Genoa, Hellas Verona, Inter Milan, Juventus, Lazio, Lecce, AC Milan, Napoli, Parma, AS Roma, Sampdoria, Sassuolo, SPAL, Torino, Udinese".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat