Reagojnë përfaqësuesit e FFK-së: E keqja vazhdon edhe duke kërkuar nënshkrime me pretekstin se...

Futboll

Reagojnë përfaqësuesit e FFK-së: E keqja vazhdon edhe duke kërkuar nënshkrime me pretekstin se...

Më: 30 nëntor 2019 Në ora: 11:42
Reagojnë përfaqësuesit e FFK-së: E keqja vazhdon edhe duke kërkuar nënshkrime me pretekstin se...

“Ne përfaqësuesit e FFK-së për Gjermani, tani e njëzet vjet e kemi pranuar misionin me vullnetin, dëshirën dhe sakrificën për të mirën e vendit. Gjatë gjithë kësaj kohe, përveç angazhimit që për opinionin është i ditur, kemi arritur qëllimin që DFB të futet në funksion për të mirën e FFK-së.

Në mbështetje për lobim për pranim në UEFA dhe FIFA, DFB është federata e cila ka luajtur rolin kyç edhe për pranimin por edhe për mbështetje të fuqishme në shumë projekte. Kjo vazhdon ta mbështesë FFK- edhe në të ardhmen.

Tani jemi në rrugën e zbatimit të marrëveshjes së dytë të nënshkruar, ku FFK-së do t’i sjellë mirëqenie në të ardhmen.Nga gjithë ky angazhim, i cili ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme, ne në asnjë mënyrë nuk jemi involvuar në politikat e brendshme të FFK-së. Misioni ynë ka qenë përkrahja e FFK-së.Janë krijuar edhe në të kaluarën situata tendencioze nga individë apo grupe të caktuara të interesit, por ne kemi vazhduar t’i përkrahim organet legjitime dhe zhvillimet pozitive tëFFK-së, kuptohet me mbështetje të fuqishme të DFB.

Ngjarjet e fundit që janë duke u zhvilluar, me tendencë të shkatërrimit të gjithë mundit të shumë njerëzve për dy dekada, nuk na lejojnë që të qëndrojmë indiferentë, e sidomos në momentet më të mira që është duke i kaluar kombëtarja e jonë.

Nga ai investim shumëvjeçar dhe me sakrificën e shumë individëve, sot, në vend që të mobilizohemi dhe ta përkrahim fuqishëm FFK-në, në një mision që do të na bënte të gjithëve krenarë në kualifikimet për Kampionatin Europian, individë dhe grupe të caktuara mundohen me metoda të ulëta dhe në kundërshtim me çdo normë ligjore dhe morale të pengojnë punën e mirëfilltë të FFK-së, duke përdorur metoda shantazhi dhe ndikimi tek klubet dhe delegatët, si dhe duke luajtur edhe rolin e gjykatave, ende pa u zhvilluar seancat gjyqësore. Po ashtu, e keqja vazhdon edhe duke kërkuar nënshkrime me pretekstin se duhet të “vijë unë”, se “ky ka për t’u dënuar”. A nuk është e dhembshme kur ne, sot, si popull, jemi duke vuajtur izolimin për shkak të kapjes së gjykatave dhe me vite kemi pasur pengesa nga shtetet armike që të mbesim të izoluar. E tani, rolin, për të na kthyer në izolim, e luajnë individë të shtetit tonë. Ata as nuk dihet për çfarë interesash veprojnë.Së fundi, nëse ne nuk i gjykojmë këto veprime të rrezikshme, do të kemi vështirësi t’i ruajmë miqtë tanë të cilët na mbështetën me vite dhe vazhdojnë të na mbështesin. Prandaj, do të kemi shumë vështirësi që t’i bindim investitorët të cilët janë të gatshëm të investojnë në futbollin e Kosovës dhe sidomos do kemi vështirësi t’i bindim lojtarët me të cilët jemi në proces të bisedimeve që të luajnë për Kosovën.

Kur të gjithë ne jemi të përqendruar në tragjedinë e tërmetit në Shqipëri, që të ndihmojmë dhe lehtësojmë sadopak dhembjen dhe vështirësitë që populli ynë është duke kaluar në këto momente të vështira, individë të caktuar e shfrytëzojnë edhe këtë rast tragjik për t’i realizuar qëllimet e tyre të errëta.Ne, së bashku me DFB-në, u japim përkrahje të fuqishme organeve legjitime të FFK-së, Komitetit ekzekutiv, Presidentit Agim Ademi dhe Sekretarit Gjeneral Eroll Salihu. Përkrahja jonë mbështetet në punën e tyre të shkëlqyeshme të këtyre strukturave, reagojnë Përfaqësuesit e FFK-së për Gjermani, Fekmi Kongjeli dhe Nexhat Shoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat